Sezoni i rregullt i Abissnet Superiore në javët e mbetura të tij do të ofrojë një garë të ndezur sa i përket luftës për mbijetesë, e cila ashtu si zakonisht do të vendoset në ndeshjet e fundit.
Në garë për momentin janë ende katër skuadra, pasi Flamurtari me fitoren e fundjavës ndaj Egnatias, i është afruar përsëri grupit të tre skuadrave që ka më lart, Tiranës, Vorës e Bylisit, duke qenë vetëm 3 pikë larg tyre.
Çdo mundësi është e hapur dhe pozicionet në renditje mund të ndryshojnë nga java në javë, duke pasur parasysh se ekipet e mbijetesës në ndeshjet e mbetura deri në fundin e sezonit të rregullt kanë të gjitha nga 2 sfida në fushën e tyre edhe 2 në transfertë.
Ata luajnë kryesisht me skuadra që luftojnë për titullin apo “Final Four”. Por një ndeshje vendimtare për qëndrimin në Superiore, do të jetë padyshim ajo e javës së fundit, kur Vora pret në fushën e vet Bylisin.

