TIRANË

Drejtori i Spitalit “Shefqet Ndroqi” Perlat Kapisyzi nuk i ka shpëtuar COVID-19. Eksperiencën me virusin e rrezikshëm ai e tregoi në News24 në emisionin “Kjo Javë”, ku tha se është trajtuar me oksigjen dhe deksametazon dhe është mjekuar siç mjekon pacientët.

“Unë nuk pata panik fare dhe pjesëtarë të familjes thanë nuk të paskemi njohur se të jesh kaq i qetë në këtë gjendje kaq të rëndë. U kurova në shtëpi, pata rënie saturimesh. Ra telefoni dhe pyetën bashkëshorten kush po e mjekon. Unë qesha me vete dhe thashë që nëse nuk mjekoj veten time… Më thanë jo po ne kemi dëgjuar që COVID-19 prek dhe sistemin nervor dhe kishte të drejtë, 80% prek sistemin nervor.
Ajo ankesa që s’i kemi dhënë ushqim, ka pasur raste që është ushqyer dhe pas 30 minutash ka marrë familjarin dhe i ka thënë që nuk po më japin për të ngrënë.
Për oksigjen dhe deksametazon, pa antiviralë. Mjekova veten siç mjekoj pacientët. Patjetër do i drejtohesha spitalit, por ndenja nën hije sepse nuk desha të bëhej një farë paniku”, deklaroi ai.

Sa i përket efekteve anësore të deksametazonit, Kapisyzi tha se bëhet një balancë mes efekteve pozitive dhe atyre negative.
“Po marr një gjë të thjeshtë, aspirina, që disa e përdorin si fara kungulli. Dhe aspirina ka efekte anësore të sensibilitetit. Çdo ilaç që merret, duhet dhe bëhet një balancë mes efekteve pozitive apo negative, kush mbizotëron.
Përdorimi i kortikosteroidit tek diabetikët, profesori im më thoshte mjekoje pacientin sikur nuk është diabetik, jepi dozat e kortikosteroidit dhe përdor insulinën. Po të mos e përdorësh rrisim mortalitetin”, tha ai.

Po kështu profesori konfirmoi një lidhje mes COVID-19 dhe grupeve të gjakut, duke thënë se grupi A është më i rriskuar.
“Shtohet numri i studimeve që tregon se SARS-COV 2 ka afinitet më të madh ndaj grupit A dhe grupi zero është grupi më i favorizuar dhe sa i përket frekuencës dhe sa i përket formës. Gjithmonë preken me formë të lehtë”, u shpreh ai.

Kapisyzi tha se vaksinën duhet ta bëjnë të gjithë.
“Duhet ta bëjë vaksinën dhe dikush që e ka kaluar COVID-in. Kohët e fundit kanë dalë studime që një individ që e ka kaluar COVID-in të marrë dozën e vetme, jo dy doza, pas 3-4 muajsh. Shkalla e mbrojtjes me antitrupa tek pacientët që kanë marrë një dozë natyrale vaksine dhe marrin një dozë vaksine është e barabartë me ata që se kanë kaluar dhe marrin dy doza.
Vaksinat, mesazhi im është më mirë të bëhet një vaksinë e cila e ka marrë autorizimin e EMA-s se sa të rrish pa vaksinë. Je 100% i sigurt se do prekësh, 5-10% se do jesh formë e rëndë dhe 2% se do shkosh në reanimacion dhe një përqindje e tillë dhe probabiliteti për të vdekur, dhe duke marrë një vaksinë të tillë jo vetëm nuk sëmuresh rëndë por jep dhe kontributin për shkëputjen e zinxhirit dhe rritjen e imunitetit të tufës”, u shpreh ai.

Kapisyzi tha se jemi larg imunitetit të tufës dhe se me sa kupton, vaksina nuk do jetë i vetmi mjet, arma e fundit për t’i dhënë fund kësaj pandemie. “Ashtu si për virusin e gripit, ku u shpikën medikamente si tamiflu po bëhen përpjekjet që nga fundi i këtij viti të dalin medikamente të cilët kurojnë koronavirusin dhe me këto përballohet plotësisht pandemia dhe ndoshta në 2022 do kthehemi në normalitetin e dikurshëm por asnjëherë si kemi qenë”, tha ai.

Sa i përket vendimeve të komitetit të ekspertëve për grumbullimet pas 25 marsit. Kapisyzi theksoi se gjithmonë vendimet merren duke u mbështetur në bazë të indikatorëve. “Nëna e gabimeve është marrja me mend e gjërave. Të shohim çfarë do ndodhë dhe në bazë të numrave ekspertët do vendosin më pas”, tha ai.
Lidhur me riinfektimet, ai pohoi se ka raste por jo në forma të rënda.
“Riinfektime në forma të rënda nuk kemi pasur, por riinfekimit është. Riinfektimet në forma të rënda janë kryesisht në mosha mbi 60 vjeç dhe riinfektime në forma të lehta në mosha nën 60 vjeç”, tha Kapisyzi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb