Historia e mashtruesit të arrestuar dje, që hiqej herë si sipërmarrës, herë si prokuror e herë si jurist, duke arritur t’u zhvaste afro gjysmë milioni euro tre sipërmarrësve të vërtetë, njeri prej të cilëve i huaj, është e frikshme. Jo thjesht dhe vetëm se pehlivani mashtrues imitonte zërin e kryeministrit në telefon, apo sikur dërgonte sms nga celulari i tij. Është e frikshme pse paraqitet emblematike. Është vula e sotme, emblema e administratës sonë publike.

Të gatshme për t’iu dorëzuar të parit që i ofron para nën dorë, e korruptuar deri në rrënjë të flokëve(këtu bëjnë përjashtim dy drejtuesit e bashkisë së kryeqytetit që sipërmarrësve që ankoheshin se mashtruesi u kishte grabitur paratë e ryshfeteve pa u dhënë lejen e ndërtimit, u treguan rrugën e denoncimit në prokurori). E frikshme është, gjithashtu, shuma e madhe (qindra mijëra euro) që sipërmarrësit i kishin dhënë mashtruesit, të bindur se mund të zgjidhnin hall(pra kjo shumë që duhej t’i jepej nën dorë dikujt për të të siguruar lejen e ndërtimit). Nga ana tjetër, administrata jonë publike ka po ashtu për emblemë frikën e saj nga autoriteti joligjor i drejtuesve kryesorë të shtetit. Këto emblema janë armë reale të armatës së sekserëve dhe lidhësve me drejtuesit në lejet e ndërtimit të bashkive dhe në tenderët publikë. Që qëndron e shumtë në numër, me dhëmbët prehur dhe veshët ngritur, në “mbarim të halleve” të sipërmarrësve apo edhe qytetarëve të thjeshtë që paguajnë nën dorë. Reforma në administratën tonë publike nuk ka mundur ta mposhtë apo ta mpakë këtë armatë. Ajo ka dështuar me sukses në këtë mision. Receta elektronike, aq e paraqitur me pompozitet nga qeveria në nëntor 2017, sot nuk arrin të kufizojë korrupsionin dhe abuzimin me tregun gjigand të barnave të rimbursueshme nga buxheti i shtetit. Janë 83 milionë euro në vit(mbi 10 miliardë lekë) që paguhen nga taksat tona nëpërmjet Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe receta elektronike nuk bën dritë as në një të njëzetën e këtyre parave tona!(pjesa më e madhe e ilaçeve të rimbursueshme tregtohen nga farmacitë, pa recetë elektronike dhe pa nënshkrim elektronik të mjekut).

Nga ana tjetër, ka dështuar me sukses edhe strategjia antikorrupsion e qeverisë. Kontrolli i Lartë i Shtetit bën me dije në një auditim të tij të performancës se strategjia antikorrupsion, e nisur në vitin 2015 po me bujë nga qeveria, është në një cektinë mosveprimesh. Ajo ka shpenzuar jo në mënyrë efektive rreth 2 miliardë lekë të reja, të dhëna për periudhën e parë të zbatimit të strategjisë (2015-2017). Sipas institucionit të auditimit të jashtëm, strategjia ka mbetur jetime. Është lënë jetime nga qytetari që ka humbur besimin dhe nuk denoncon. Mungesa e një mekanizmi real mbikqyrës të strategjisë vë në rrezik zbatimin e kësaj strategjie ndërsektoriale, e cila synon të përmbushë jo vetëm programin e qeverisë, por edhe një nga 5 përparësitë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. 51 % e fondeve për strategjinë antikorrupsion janë dhënë nga Bashkimi Europian. Jo vetëm qeveria në nivel qendror, por edhe pushteti vendor është shumë mbrapa. Sportelet “One Stop Shop” që duhej të hapeshin pikërisht për të luftuar korrupsionin janë hapur vetëm në 14 bashki dhe funksionojnë formalisht.

Duhej të ishin hapur edhe në 47 bashki të tjera, por ende janë në proces. Të zhytura në cektinën e indiferencës së përgjithshme, ndoshta për të mos u ngritur kurrë. Kur në këto tre vite zbatimi të strategjisë duhej të kishin përfunduar me kohë. Shoqëria civile ka marrë fonde për këtë nismë madhore si lufta ndaj kancerit të shoqërisë sonë, por KLSH-së i rezulton se shoqatat e saj përfituese të fondeve nuk kanë bërë thuajse asgjë. Kjo është tabloja e sotme e administratës sonë publike. Bashkëqeverisja po provon të dublojë këtë administratë të sëmurë rëndë, duke u përpjekur ta detyrojë të zgjidhë qindra mijëra problemet e qytetarëve që i ankohen asaj në rrugë dixhitale. Por ata të paktë të lumtur që u zgjidhet halli apo padrejtësia janë në raport një me njëzetë, me ata që ankohen. Nga shifra e raportuar nga qeveria se deri tani mbi 28 mijë qytetarë i janë drejtuar bashkëqeverisjes, me këtë raport i bie që vetëm rreth 1 mijë e katërqind qytetarë të jenë bërë të lumtur. Qeveria duhet të publikojë jo vetëm shifrat e qytetarëve që kanë provuar të zgjidhin hallin e tyre apo të eliminojnë padrejtësinë e administratës mbi ta nëpërmjet bashkëqeverisjes, por edhe sa për qind prej tyre bashkëqeverisja ua ka zgjidhur të plotë apo pjesërisht hallin. Vetëm kështu matet sforco e qeverisë dhe nëse ajo e ka seriozisht bashkëqeverisjen me qytetarët, me gjithë përpjekjen sizifiane të kryeministrit për të komunikuar çdo ditë me dhjetëra qytetarë të thjeshtë brenda ditës, nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale (Twitter, Whats’app, etj.). Rasti me mashtruesin që hiqej mik i fortë i kryeministrit dhe djalit të tij për të zhvatur para nuk është as i vetmi, as edhe i kufizuar. Aradha e sekserëve që orë e çast po vrasin shpresën se ky vendi ynë mund të bëhet dhe po detyrojnë njerëzit të ikin gati të dëshpëruar nga Shqipëria, është ë gjitha aty. E pagoditur si duhet, madje gati e patrazuar nga qeverisja elektronike, apo nga inspektoratet e shumta dhe puna e drejtorisë së krimit ekonomik në Policinë tonë të Shtetit. Reforma e vërtetë kryhet me struktura që realisht do të kapin në rrjetë këta sekserë që si minj të pangopur e gërryejnë shtetit tonë dhe moralin e shërbimit publik nga themelet./Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb