TIRANË

Arjan Mezini, Mjeku pneumolog i spitalit “Shefqet Ndroqi” apo siç e njohim të gjithë Sanatorium i kthyer në një spital COVID ka folur në një lidhje “Skype” për Neës24 për situatën nga koronavirusi dhe si po përballohet nga bluzat e bardha.

Mezini tha se në spitalin COVID 2, kanë qenë 6 pacientë në terapi intensive, 4 janë në frymëmarrje të drejtuar dhe njëri është në intubim jo invaziv.

“Njëri ka lënë reanimacionin dhe ka dalë në pavijon. Duhet të presim. Mbajnë parametra të kënaqshëm por është herët për të folur.
Për 12 pacientët, skaneri iu është bërë dhe janë persona me pneumoni bilaterale. Kjo është strategjia, me tamponë negativë mbahen tek ne, dhe me pozitivë mbahen tek spitali Infektiv.
Para se të bëheshim zyrtarisht Spital COVID2 kemi pasur raste me pneumoni bilaterale që pavarësisht se tamponi iu kishte dalë negativ rezultuan me COVID dhe u transferuan tek Spitali Infektiv. Pneumonia bilaterale është ndërlikimi kryesor që bën COVID-19”, tha Mezini.

Sipas tij, numri i mjekëve e infermierëve të infektuar është ia numër që ne dimë, 14 që për fat të mirë e kanë kaluar me simptoma të lehta por po qëndrojnë në shtëpi për periudhën e caktuar. “Shtrimet kanë rënë, si në Spitalin Infektiv si në Spitalin tonë”, deklaron mjeku pneumolog.

Ai shprehet pro rritjes së testimeve ndërsa shpjegon se pse janë të rëndësishme dhe analizat për imunitetin. “Praktika më e mirë do ishte testimi më i gjerë. E kam kërkuar testimin për imunitetit. Mjekët imunë mund të përdoreshin në vijën e parë.
Analiza për imunitetin nuk është aq e kushtueshme sa tamponi. Mund ta bënte çdo laborator. Në dijeninë time është diskutuar. Znj. Tomini u shpreh se do realizohet në laboratorin qendror që QSUT në Tiranë. Ajo tha së shpejti”, u shpreh mjeku Mezini.

Sa i përket personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi, ai tha se përqindja më e madhe jo vetëm tek ne, ka qenë mosha e tretë dhe që kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese dhe se janë persona që kanë një kapacitete imunitar më të ulët.

Nëse po shkohet drejt daljes nga kjo epidemi, Mezini nuk jep afate por thotë se me rritjen e temperaturave infektimi do të bjerë.
“Ecuria në spitale është një indikator jo i drejtpërdrejt. Çdo epidemi, kur shfaqen rastet që duhet të shkojnë në spital, një virus e ka bërë xhiron në popullatë. Tregues i mirë është që në 2-3 ditët e fundit kemi pasur shumë pak shtrime. Është një virus i ri, thuhet se do bashkëjetojë me në me muaj. Duket qenë virus respirator, infektimi do bjerë me rritjen e temperaturave. Por duhet të jemi prapë më të kujdesshëm, jo më grumbullime masive dhe të kemi medikamente më efikase.
Terapia është individuale sepse jo çdo medikament mund të përdorësh tek të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare”, deklaroi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb