Nga: SULEJMAN GJANA*

(vijon nga numri i djeshëm)
Pas pohimit nga Profesor Servet Pëllumbi të “Katovicës shqiptare”, gjykimi a posteriori, pra “post factum”, më ndihmon ta konsideroj atë (pra Katovicën) si fillesa e “Mukjes së Dytë”, që ka synuar dhe synon zhbërjen dhe zhdukjen graduale nga skena politike të partive kombëtariste dhe zhdukjen e përfaqësimit real të shtresave që këto parti mbulojnë. Gjithmonë krahas përdorimit të këtyre partive si kontorno dhe fioritura në “pjatën e madhe” të së “Djathtës”, ku në qendër të saj gjithnjë ndodhet llokma e “mish-peshkut” pa identitet politik, që ende nuk ka bindur askënd se ku konsiston dallimi i saj programor me PS-në, në një kohë kur edhe lideri i saj historik para dy vitesh i deklaroi opozitës në parlament: “Ju nuk jeni socialistë, socialistë jemi ne…”. Madje më keq akoma; aleati ynë i madh e ka reduktuar dhe spostuar gjithë debatin politik, nga raporti e Djathtë/e Majtë, në rrafshin e ngushtë dhe të ngurtë: Pushtet/Opozitë… Aq sa, kur e pyet këtë takëm opozitarësh përse e konsiderojnë veten të tillë, të përgjigjen: sepse nuk jemi në pushtet.
Kaq harraqë dhe naivë na pandehin këta, sa të mos kujtojmë ankesën në vitin 1992 të hartuesit të programit të PD-së, Gramoz Pashkos, se “socialistët na vodhën programin si të ishte xhaketë që ne e varëm me besim në kremastarin e politikës…”. Apo ankesën e Nanos në vitin 2001, që në prag të fushatës zgjedhore akuzoi publikisht PD-në se i vodhi programin bashkë me premtimet elektorale, të cilat për hir të së vërtetës ia kishte hartuar miku i tij i rinisë, ish-këshilltari ekonomik i Adil Çarçanit gjatë viteve 1989-1990, Gramoz Pashko, që ishte dhe mbeti heroi i të dyja partive dhe miku i përbashkët i liderëve të tyre?!
Kaq naivë na pandehin këta kur mendojnë se nuk jemi në gjendje të dallojmë mungesën e diferencave programore e qeverisëse midis PD-së dhe PS-së, teksa Ben Blushi i akuzoi para dy javësh të tijtë se në qeverisje po imitojnë dhe kopjojnë kryeministrin paraardhës?!
Gjykimi “post-factum” na bën të përparojmë e të konkludojmë drejt së vërtetës që na tregon përse dikur PD-ja miratoi Ligjin famëkeq 7501, efektet shkatërrimtare të të cilit i vetëpranoi edhe lideri i saj historik me një pohim të sinqertë gjatë një interviste. Por ky gjykim na ndih të kuptojmë gjithashtu edhe përse demokratikasit nuk e atakojnë sot zbatimin e tij, që vazhdon ende me shpërndarje tokash, kullotash e pyjesh(!!!), për të pronësuar dreqin e të birin, por kurrsesi pronarët legjitimë.
Kaq naivë dhe harraqë na pandehin këta, kur dihet publikisht se në fundvitin 2005 deklaruan se “Ministria e Bujqësisë ka në dispozicion një fond toke prej 120 mijë hektarësh për të kompensuar ish-pronarët…”, ndërsa sot akuzojnë qeverinë për “18 mijë hektarët” që i “lanë si fond i mbetur për kompensimin e tyre”. Fond toke që sipas tyre qeveria aktuale e ka përdorur për shpërblimin pronësor të klientelës politike?!
Po ku shkuan 100 mijë hektarët që ekzistonin në kohën e qeverisjes së tyre, teksa ish-pronarët nuk kanë marrë prej tyre asnjë metër katror? Ndërkohë që qëllimisht këta i jepnin përparësi: legalizimeve me ligje të amenduara pafundësisht; legalizimeve me shtyrje të afateve të veprimit të ligjeve; pronësimeve të paligjshme me VKM dhe me urdhra administrativë; pengimin e njohjes së pronësisë për pronarët legjitimë me anë të ngadalësimit të qëllimshëm, deri në ndërprerje, të punës mbi dosjet dhe vendimmarrjet nga komisionet e degëve të AKKP-së.
Kaq naivë na pandehin këta, sa kujtojnë se nuk e kuptojmë skemën e përdorimit të “Ligjit të Legalizimit” si vazhdim i Ligjit 7501 dhe si mjet për vazhdimin e grabitjes të tokës së mbetur të pronarëve legjitimë nëpërmjet legalizimit të pafundmë të ndërtimeve pa leje… Proces ky me rishtyrje pa fund të afateve ligjore për legalizimin sot, nga qeveria aktuale, edhe të ndërtimeve të reja, madje edhe të atyre pas vitit 2009 (që u vu asokohe si afat limit për legalizimet e banesave mbi tokat-troje të pronarëve)… Proces që aleati ynë nuk po e kundërshton, thjesht sepse i konvenon ideologjikisht dhe për interesa elektorale!
Kaq naivë na pandehin demokratikasit kur Gjykata Kushtetuese (e mbushur prej tyre me gjyqtarë ish-komunistë të përkëdhelur nga diktatura), e njohur në demokraci si “garante e mbrojtjes së pakushtëzuar të Kushtetutës”, guxon dhe shkel me këmbë nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës që presupozohet se mbron, e që konsakrojnë pronësinë dhe rrugët ligjore demokratike për përftimin e saj?! Gjykatë Kushtetuese kjo e vetmja në botë që shkel Kushtetutën dhe frymën e saj, për të cilat është betuar se do t’i mbrojë dhe që me vendimet e saj nuk bëri dhe nuk bën drejtësi, por politikë, duke legjitimuar politikat e Legalizimit si “shpronësim për interes publik” të pronarëve legjitimë në favor jo të interesave të publikut të gjerë, por të të tretëve, që janë “pronarët e rinj”, ose klientela e pushtetit?! Gjykatë kjo që kulmon absurdin dhe paligjshmërinë teksa guxon dhe shkel gjithashtu edhe të gjitha kartat ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, që prevalojnë edhe mbi legjislacionin shqiptar që ajo gjoja mbron, duke i njohur ligjërisht, me vendime, klasës politike dhe qeverive shqiptare tagra ligjore që nuk mund t’i posedojnë, gjithmonë në raport me pronën, konform parimit të shenjtë juridik se “nuk mund të dhurosh, apo të shesësh atë që nuk e disponon ligjërisht si pronë”?!
Kësisoj kjo gjykatë, megjithëse shkel Kushtetutën, frymën e saj, kartat dhe marrëveshjet detyruese ndërkombëtare, dhe mbi të gjitha shkelmon dhe shkallmon parimin e shenjtë të Sigurisë Juridike – fatkeqësisht asnjëherë nuk atakohet nga aleati ynë i madh, por anëtarët e saj mbrohen dhe votohen sipas interesave të çastit.
Kaq naivë na pandehin dy partitë e mëdha teksa u dhurojnë ende zaptuesve të paligjshëm tokat e pronarëve, me ligj dhe letra me vlerë e me shpenzime administrative të paguara, thjesht për qëllime elektorale dhe mjegull për hajdutët-klientelë… Dhe kjo ndërkohë që buxhetit të shqiptarëve të varfër u faturojnë vlerat e kompensimit financiar për pronarët e grabitur, ndërsa luftës dhe ligjërimit politik u shtojnë akuzat e ndërsjellta për sipërfaqe të mëdha tokash e trojesh në pronësi?
Kaq naivë na pandeh aleati ynë i madh, që ka shpallur armik të demokracisë dhe shqiptarëve një ish-zv/ministër të Drejtësisë të kohës së qeverisjes 1992-1996, vetëm e vetëm se një dekadë më vonë, në cilësinë e gjyqtarit në Gjykatën e Strasburgut ka marrë vendime në favor të pronarëve të ligjshëm, të shoqëruara këto me fatura të kripura kompensimi financiar, e të paguara me paratë e buxhetit të shtetit tonë të varfër?!
Kaq naivë na pandehin këta, teksa mendojnë se ne nuk e dimë se arsyeja kryesore për zvarritjen pa fund të integrimit europian të vendit është moszgjidhja e qëllimshme e problemit të pronësisë së ligjshme në Shqipëri?… Kusht vendimtar ky, si në tërësinë e dikurshme të 12 pikave, ashtu edhe në tërësinë e 5 pikave-parakushte që ende qëndrojnë mbi procesin e integrimit të vendit si “shpata e Demokleut” në dorë të Brukselit?!
Aleati ynë gjatë qeverisjes 8-vjeçare harxhoi mbi 10 miliardë euro për investime publike, por kurrë nuk e kaloi shifrën e 10 milionë eurove për kompensimin e ish-pronarëve dhe ish-të burgosurve politikë!
Kaq naivë na pandehin këta, sa të mos kuptojmë dhe përmendim se nuk bënë asgjë për Dekomunistizimin e vendit dhe imunizimin e shoqërisë nga trashëgimia komuniste, si parakushte vendimtare të ndërtimit të demokracisë pas gjysmë shekulli diktaturë?!
Këta jo vetëm nuk insistuan për hapjen me ligj të dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Lustracionin, por fshehurazi, bashkë me PS-në, në vitin 2003 miratuan në parlament ligjin për shtyrjen edhe për 25 vite të hapjes së Arkivit të PPSH-së, kësaj “maje të shpatës së diktaturës së proletariatit”, që bëri krimet më të përbindshme në këtë vend, në shërbim të sllavokomunizmit.
Konsekuentë në qëndrimet e tyre 25-vjeçare, deputetët e aleatit tonë të madh u arratisën edhe nga lufta politike në komisione dhe nga votimi në seancat plenare të projektligjeve për: dekriminalizimin e politikës dhe administratës publike; për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe Lustracionin pasues logjik.
Ata rendin çdo 5 Maj për të vënë kurora në varrezat ku prehet shumica e vrasësve të baballarëve tanë, që merrnin urdhrat vrastarë nga Miladini e Dushani, e që dhanë frymën e fundit me betimin: “Za Tito, za Stalin…”.
Dhe këto, bashkë me shumë veprime të tjera që synonin dhe synojnë asgjësimin politik të shtresave më të vuajtura dhe të masakruara gjatë diktaturës komuniste, për ne thonë shumë…, na ndërmendin natyrshëm Katovicën dhe “Mukjen e Dytë”.
Dhe më në fund, përtej modestisë, jam i detyruar të ndërmend se kam lindur në Perëndim, bash në kryeqytetin e Europës së Bashkuar, dhe jam rritur, edukuar e diplomuar me teoritë dhe me praktikën institucionale të demokracisë, çka më mundëson identifikimin e çdo deformimi dhe devijimi të qëllimshëm të saj.
Ndaj sot gjykoj se gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten nga lidershipi i ri politik i aleatit tonë të madh, sepse legalistët nuk do ta mbajnë peshën e bashkëfajësisë për rrënimin e së djathtës dhe kauzave të saj në vendin tonë.
* Kryetar i PLL

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: