Ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare gjuhëtari Bahri Beci anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci, si dhe vetë Akademia e Shkencave.

“Të dashur miq,
Me dhembje e hidhërim ju njoftojmë që babai ynë, Bahri Beci, ndërroi jetë.
Faleminderit babë për kujtimet e bukura e emrin e mirë që na le, për këshillat e urtësinë tënde, për konsistencën e racionalitetin tënd, për arsyetimin e shembullin me të cilin na udhëhoqe e na bëre krenarë.
Ditën e martë, homazhet do të mbahen në Akademinë e Shkencave, në orën 9:00-11:30, ndërsa përcjellja e fundit për në varrezat e Sharrës në orën 12:00.
Pritjet do të bëhen të martën, 22 gusht në orën 17:00-20:00, e më pas të mërkurën dhe të enjten në oraret 9:00-13:00 dhe 17:00-20:00 në Hotel Sheraton. Entela dhe Beneti”, shkruan kryebashkiaku i Shkodrës.

Benet Beci
Benet Beci

Po kështu Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njoftoi “me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike”.

Bahri Beci 11
Bahri Beci 11

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve.

Bahri Beci ishte akademik dhe gjuhëtar shqiptar. Veprimtaria e tij shkencore është shtjelluar në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të gjuhës letrare, të historisë së gjuhës, si edhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike. Anëtar i shumë asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare. Për punën e tij ka marrë medalje nga Kuvendi dhe nga Presidenti i Republikës.

U lind në Shkodër më 28 shkurt, por u regjistrua në gjendje civile nga familja më 6 mars. Familja e tij nga i ati e kishte prejardhjen e rishtë nga Ulqini, prej ku njëri prej prijësve të Lidhjes së Prizrenit, Mehmet Beci (gjyshi i të atit) ishte zhvendosur pas dorëzimit të qytetit Malit të Zi. Banonin në rrugën Dervishbeg dhe Bahriu studimet fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjes, këtë të fundit duke e ndjekur tek instituti i mesëm pedagogjik që më pas u mori emrin “Shejnaze Juka”.

Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës (1954-1958) në fushën e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe. Nga shtatori i vitit 1958 e deri më 1977 u emërua Punonjës Shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Ndoqi dhe kreu studimet pasuniversitare në Paris (1975-’77), ku mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra” (shqip: Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës). Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” për disertacionin “Të folmen e gegërishtes qendrore” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” në Shqipëri.

Më 1984 në Tiranë, mbrojti sërish doktoratën me temën “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës” dhe në vitin 1994, titullin “Drejtues kërkimesh ose Profesor”. Në vitet 1974-1975 ishte sekretar shkencor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, kryeredaktor i revistës “Studime filologjike” (1984-1993), sekretar i revistës “Studia albanica” (1993-1997), shef i Sektorit të Gramatikës dhe të Historisë së Gjuhës në Institutin e Gjuhësisë (1993-1997) dhe drejtor i këtij instituti (1993-1997). Më 1997, ka shkuar në Francë si pedagog i Shqipes në Institutin Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore të Parisit (INALCO).

Më 2008 u zgjodh si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb