Ish­-ministri grek i Financave ka deklaruar se reformat e propozuara nga qeveria Tsipras për marrjen e paketës së tretë të ndihmës financiare nga huadhënësit ndërkombëtarë, do të dështojnë.

Gjatë një interviste për BBC, Yanis Varoufakis ka thëne se “Greqia është subjekt i një programi që do të hyjë në histori si katastrofa më e madhe e parë ndonjëherë në menaxhimin makroekonomik”. Sipas tij, programi në fjalë do të dështojë, pavarësisht se kush do ta zbatojë atë. Madje, nuk ka nevojë të pritet për t’u parë, pasi sipas tij “Ka dështuar që tani”.

Varoufakis u dorëhoq pas referendumit të 5 korrikut, një veprim që u vlerësua si protestë ndaj Eurozonës dhe homologëve të tij të Bashkimit Europian, me të cilët u përplas vazhdimisht gjatë bisedimeve për krizën e borxhit. Për të, kryeministri Cipras nuk beson tek paketa e re e borxhit, por nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ta nënshkruante atë. “Na u dhanë dy mundësi; ekzekutimi dhe kapitullimi. Ai vendosi kapitullimin si strategji të fundit”, deklaroi Varoufakis. 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: