Nga: DRITAN HILA*
Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar përdorimin e vetos shqiptare për të kundërshtuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pa zbatim të Marrëveshjes së Ohrit. Ky është një paralajmërim që i duhej çuar me kohë Maqedonisë, por më mirë vonë se kurrë.
Që Shqipëria nuk ka pasur erz të bëjë gjelin në Bruksel, këtë e di i madh e i vogël, pasi klasa politike shqiptare ku PD është mbajtëse e titullit kampion, nuk mund të shesë moral dhe të kërkojë standarde nga të tjerët, kur si brenda edhe jashtë vendit jemi bërë qepaze për sjelljet tona vulgare. Që NATO është organizata së cilës më shumë i japim se i marrim, ku në këmbim të formacioneve modeste nëpër botë, marrim mbrojtje dhe siguri, e ndaj nuk mund të kundërshtojmë politikat e saj globale, edhe kjo është diçka që nënkuptohet. Por vjen momenti kur e drejta e anëtarësimit duhet të shfrytëzohet, dhe rasti i vetos sonë është minimalja që mund të bëhet. Në aspektin moral, pavarësisht se Kumanova nuk është territor shqiptar, të vrarët atje janë të tillë.
Pas kësaj vjen çudia. PD-ja këshillon që të mos vihet vetoja pasi Ballkanit i duhet integrimi, etj., etj. broçkulla behari.
Nga kjo seli shpesh janë dhënë direktiva që NATO të ndërhyjë në Ukrainë, si të përdoren trupat e aleancës apo politikave të Turqisë. Deri këtu kemi të bëjmë me mendjelehtësi apo delire. Por historia e shqiptarëve të Maqedonisë është çerek shekulli e gjatë, dhe qeverisja e PD-së ka pak çfarë të mburret. Asnjë zhvillim pozitiv për shqiptarët jashtë kufirit nuk është shënuar gjatë qeverisjes së tyre. Ishte qeveria e parë e Berishës ajo e cila hapi portet për shtetin e sapolindur Maqedon i cili po mbytej nga presioni grek, pa marrë të drejta për shqiptarët aty. Tetë vitet e dyta nuk shënojnë asnjë ndikim pozitiv, përveçse regres. Ndërkohë që Marrëveshja e Ohrit zvarritej, liderët shqiptarë atje ktheheshin në zotërinj trafiqesh; ndërkohë kur Tirana duhej të dirigjonte sjelljen e tyre, Shkupi ishte kthyer në xhep harrese. Nuk do të kishim këtë sjellje të Gruevskit nëse do të kishim një Tiranë që e mbante në presion konstant Shkupin. Vetoja shqiptare është një armë që i është dashur t’u përmendej me kohë maqedonasve. Dhe PD-ja nuk mund të thotë se askush nuk i ka këshilluar kur ishin në qeveri. Në vitin 2012, në artikullin “Shqiptarët e Maqedonisë, prioriteti i çështjes kombëtare”, Shaban Murati, ish-ambasador në Shkup dhe njohësi më i mirë i rajonit, ua kujton e zezë mbi të bardhë. Por nuk kanë dashur të lexojnë. E as nuk duan të nxënë.
Tani që më së fundi Tirana bëhet e vetëdijshme për rolin e saj ndaj shqiptarëve jashtë kufijve dhe pozicionin në organizatat ndërkombëtare, përgjegjësi i politikave të jashtme të PD-së kritikon kërcënimin e Kryeministrit të Shqipërisë për përdorim vetoje, nëse pozita e shqiptarëve nuk ndryshon! E kuptueshme nga një parti që dha 300 kilometra katrorë det apo ndërmarrje strategjike si OSSHE, vetëm për copa letrash. Por pyetja që vlen është se, nëse nuk përdor veton për një shtet që vret shqiptarët, për kë duhet ta përdorë veton e saj Shqipëria? T’u sjellësh shembuj rishtarëve të PD-së se çfarë na ka punuar Greqia neve për shumë më pak, se Kroacia kërcënohej nga Sllovenia për një rrip tokë për anëtarësim në BE, Sllovenia nga Italia etj.; se historia e Evropës dhe NATO-s është e mbushur me presione diplomatike të anëtarëve ndaj kandidatëve, në këmbim të anëtarësimit, ngjan se është e kotë. Me sa duket në PD nuk ka mbetur kush që të mendojë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: