Fitorja në derbi riktheu Partizanin në garë me kohë të plotë për titullin kampion. Të kuqtë nuk kishin shumë kohë për të festuar pasi këtë të mërkurë do të kenë përballë një kundërshtarë më agresiv dhe më në formë, Laçin, kryesuesin e Superligës, por këtë herë luhet për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Ky është një sezon ku kryeqytetasit kërkojnë gjithçka, dëshirojnë “dopjetën” e famshme por më parë duhet të kalojnë kurbinasit, një rival që Daja e vlerëson shumë por thekson se shanset për kualifikim janë 50 me 50. Në konferencën për shty trajneri i të kuqeve u ndal dhe tek planet për të ardhmen ku së bashku me stafin drejtues po projektojnë rinovimet e mundshme me disa titullarë, një çështje që do të filloj të diskutohet konkretisht sapo drejtori Olsi Rama të rikthyet në kryeqytet:

“Është një ndeshje që kualifikimi është 50 me 50, për vetë ecurinë e skuadrave deri më tani në kampionat. Luhet jashtë, por është pa tifozë dhe gjithçka është e barabartë. Ne do luftojmë me gjithë potencialin që kemi dhe nesër e kemi të gjithë kontingjentin, përveç Ferhan Hasanit.

Në kampionat mund të bësh ndonjë hap fals, kurse në Kupë jo. Do e mendojmë këtë 90-minutësh si një duel ku duhet të japim gjithçka. Shkojmë me maksimumin, pasi edhe rrugëtimi në kampionat është akoma i gjatë. Janë shumë pikë dhe javë. Objektiv kemi edhe kupën. Nesër do të jemi të përqendruar në maksimum te ndeshja.

Ndikimi i triumfit kundër Tiranës? Mendoj se me fitoren në derbi kemi bërë një kthesë mjaft të mirë në aspektin psikologjik, pasi triumfi në derbi veç tre pikëve të jep edhe një bonus psikologjik.

Mendoj që kishim një ngërç në rezultate, por e përsëris që nuk kishim probleme me lojën dhe është ajo që të jep në fund fare garancinë. Tani rikthehemi në qetësinë që kemi pasur, por duhet të në shërbejë që të shfaqim nesër vlerat tona maksimale.

Frikë nga euforia? Kampionati është shumë i ngjeshur, ndaj nuk mendon dot për eufori. Sa mbaron një ndeshje vjen tjetra dhe ndoshta nuk ke kohë as të mendosh e të mërzitesh, pasi ke ndeshjen tjetër pranë.

Rinovimet? Nesër vjen Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, dhe do të ulemi direkt e të flasim. Nuk mund ta riformatojmë një ekip nga fillimi, duke ditur objektivat që ka Partizani. Pra do ruajmë pothuajse një përqindje të madhe të ekipit aktual dhe do mundohemi ta plotësojmë ekipin aty ku kemi pasur probleme dhe ta përforcojmë. Ferhan Hasani? Do të jetë gati të na shërbejë pas pauzës prej ndeshjeve të Kombëtares”, tha Daja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb