Nga: AHMET SHQARRI*
Miqësoret ndaj Francës dhe Italisë, si dhe arritjet për eliminatoret e Euro ‘16-ës, ngjajnë sikur futbolli ynë të jetë ngjitur në majën e botës. Por, ja që jemi të detyruar të mos jetojmë vetëm me ëndrrat e Kombëtares, kështu që pas atij entuziazmi të krijuar prej ndeshjeve të saj, është ky realitet i përditshëm, me gjithë këtë rrokopujë problemesh të vështira përreth, që na bën të zbresim e të ulemi këmbëkryq në këtë moçalishten tonë. Sepse, në fund të fundit, sillu nga të duash dhe shko ku të duash, përsëri këtu do të rikthehesh, në vendin tënd, ku përplasja me të vërtetat e pamëshirshme të kësaj bote është e pashmangshme dhe e përhershme. Pa u rrekur të zbulojmë gjithçka, aq më tepër që “moçalishtja” jonë është fare e hapur dhe në të mund të shohësh e të prekësh gjallesa të shumta që vazhdimisht përpëliten sa është e mundur për të mos u zhytur gjithnjë e më poshtë, ajo që të bën përshtypje dhe që mbetet si një ves i pandreqshëm i yni, është harresa ndaj së keqes. Duke u harbuar pas euforisë së çastit, siç na ndodhi këto ditë kur gati e kthyem në një festë kombëtare ndeshjen miqësore ndaj Italisë(!?), ne s’duam t’ia dimë se në ç’batak jetojmë, duke na u bërë mënyrë jetese të ndenjurit mbi të. Kjo harresë ndaj së keqes, që na ka pushtuar kudo e prej kohësh, në shumë raste na bën që të tregohemi kot më së koti patriotë e nacionalistë që s’i duhemi askujt, madje edhe në ato raste kur ndonjë gazetar italian, siç po përflitet së fundmi, na paska “lavdëruar” për këto ndjenja të shfaqura prej ca tifozëve tanë të krisur të cilët gjatë ndeshjes në Itali, u futën në fushën e lojës, duke e ndërprerë atë, për t’u marrë autografe futbollistëve tanë “heroikë”! Janë gjëra që po i shpikim ne shqiptarët dhe për të cilat kërkojmë që bota të na mëshirojë me deklarata të tilla të rreme si kjo e futjes së tifozëve në fushën e lojës të stadiumit të Gjenovës, apo si ajo e “habisë” që iu paska ngjallë gazetarëve të huaj pamja e “stadiumit mrekulli” të Elbasanit, atë ditë kur luajtëm ndaj Danimarkës!
Nuk dua të merrem me lojërat e zhvilluara gjatë këtyre dy ndeshjeve miqësore të luajtura prej nesh ndaj ish-kampionëve të botës dhe ku për hir të së vërtetës u paraqitëm mirë, sepse analiza rreth tyre është bërë e vazhdon plot eufori nga gazetat e përditshme sportive që Shqipëria i ka më shumë se çdo vend tjetër i botës(!), por dua të theksoj se ende pa u shuar kjo jehonë ngazëlluese e kësaj të marteje (ku megjithatë u mundëm), të nesërmen e asaj dite ishim dëshmitarë të ngjarjeve të trishtuara që ndodhin thuajse çdo ditë në shtëpinë tonë, pikërisht në ndeshjet e Kupës, që ashtu si në vitet e kaluara treguan artificialitetin e zhvillimit të tyre. Nuk e di nëse ju kujtohet se si në një nga ato vizitat e shpeshta të Platinisë këtu tek “miku i tij”, pikërisht ndodhte që po atë ditë të zhvilloheshin edhe ndeshjet e një turi të Kupës së Shqipërisë, dhe po në këtë gazetë shkruhej se, mosparaqitja e një skuadre në fushën e lojës, për kushtet e vështira ekonomike që nuk ia lejonin udhëtimin në fushën kundërshtare, ishte “pritja më e mirë” ndaj kreut të qeverisë së futbollit evropian. Edhe këtë të mërkurë ndodhi po e njëjta gjë, kur “Flamurtari” i Vlorës priti më kot kundërshtarin e tij, që këtë herë nuk dihet se për çfarë arsyeje nuk u paraqit! Atyre të cilëve iu është mbushur mendja apo duan të lehin për llogari të çanakut prej nga hanë, duke thënë se ky është një nga kampionatet më të bukura të historisë së këtij vendi(!), apo më i miri i këtij çerekshekulli demokraci, duam t’iu kujtojmë edhe njëherë se, “Partizani”, skuadra që dikur bënte historinë e këtij vendi, sot nuk ka një shtëpi të vetën dhe këtë të mërkurë për Kupën e Shqipërisë, e luajti ndeshjen e radhës, a e dini ku, pikërisht në fushën e fshatit Pezë!? Të mendosh se dikur skuadrat “e vogla” e kthenin në festë ardhjen e “Partizanit” në qytetet e tyre, ndërsa tani ngjet krejtësisht ndryshe, kur skuadrat e kryeqytetit janë në një hall shumë të madh, sepse nuk kanë një stadium të hairit për të luajtur!?
Ngritja në qiell e Kombëtares, duke harruar se ajo është ende në një rrugë të gjatë e me shumë të papritura, aq më tepër që në lojën e saj ka edhe shumë gjëra të tjera për të rregulluar, sidomos në gjetjen e një mekanizmi në mesfushë që do t’i jepte një fizionomi më të qartë gjatë ndeshjeve të ardhshme, kjo, më shumë se mirë, i bën veçse dëm futbollit tonë. Luajtja e së njëjtës melodi, si në vitet e shkuara, nuk na çon asgjëkund, por do t’na mbajë të mbërthyer në mes të këtij bataku ku po përpëlitemi prej kohësh. Nga “maja e botës” ku u ngjitëm këto ditë, rrokullisja për në moçalishten tonë të hapur bëhet më e lehtë, po vazhduam të harrojmë se kush jemi e ku jetojmë…

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb