Të reja të rëndësishme në futbollin shqiptar. Skuadrat e kryeqytetit aktualisht janë në kërkim të trajnerëve, me këto ndryshime në pankinë që askush nuk i parashikonte dot, të paktën në këtë fazë të sezonit.

Pezullimi i Shehit, dorëheqja e Di Biagios apo largimi i Zekic kanë “trazuar ujërat” jo pak te Tirana, Dinamo apo Partizani. Trajneri i mirënjohur, Ernest Gjoka, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, në emisionin e moderuar nga Trevisa Tufa, dha këndvështrime të ndryshme për tema të ndryshme të futbollit në vendin tonë.

 


Profesor, e nisim nga lajmi më i rëndësishëm që prodhoi java e fundit. Di Biaxho largohet në lot, heq dorë nga kontrata 2 vjeçare, ishte vetëm faji i tij, apo në klub vijojnë të bëjnë të njëjtat gabime si dy vite më parë?

Mesa duket, trajneri italian nuk u përshtat. Nuk është e lehtë të përshtatesh këtu. Duhet ta njohësh mirë futbollin këtu, që të dish ta interpretosh. U bashkuan shumë gjëra bashkë. Pavarësisht se ishte emër i madh, ndryshojnë shumë gjërat. Shpresoj që Dinamo të gjejë vetveten dhe të ringrihet. Duhet të ketë me patjetër njerëz profesionistë.

A rrezikon Dinamo me këtë grup, me këtë projekt?

Unë mendoj se Dinamo ka disa lojtarë cilësorë. Mbase nuk është gjetur ende ekuilibri i duhur. Është shumë e rëndësishme që të gjendet një njeri, mbase edhe nga brenda familjes.

Një situatë jo të mirë po kalon dhe Tirana. Me rregull treshi tha Dabulla, i bie që edhe Ahmataj të shkarkohet me dy humbje radhazi. A gaboi Tirana me pezullimin e Shehit?

Puna e trajnerit varet edhe nga rezultatet. Tirana është një ekip që kërkon përherë të jetë në vend të parë, është lokomotiva e futbollit shqiptar. Sipas ideve, janë marrë lojtarët më të mirë shqiptarë. Ndoshta momenti i Gestit ishte fundi i ciklit. Tirana nuk pret. Ka ardhur një trajner tjetër, për të ringritur ekipin. Nuk mund të thotë askush që Tirana nuk ka elementë cilësorë. Unë mendoj se është diçka provizore, duhet të reagojnë të gjithë.

Nuk njihet tani Tirana profesor, ku po gabojnë, çfarë po bën keq një ekip i investuar fuqishëm në verë, një ekip që luajti si i barabartë përballë Beshiktash, por bie me radhë në Superiore?

Unë mendoj se është thjeshtë çështje psikologjike. Klubi po e vuan, lojtarët po e vuajnë. Janë lojtarë profesionistë, të gjithë presin që çdo ndeshje të fitohet. Lojtarët duhet të përgatiten shumë mirë. Unë mendoj se këto janë momente që çdo kush mund t’i kalojë. Klubi i fortë duket në momente të vështira.

Profesor, keni fituar në karrierë çdo trofe, por kurrë me ekipet e kryeqytetit. Je gati të marrësh drejtimin e një prej ekipeve të kryeqytetit?

Trofetë i kemi marrë. Ka hyrë viti i katërt që nuk trajnoj. Eksperienca është e madhe por nuk po na bashkohen rrugët me ndonjë nga ekipet e kryeqytetit. Mbase një ditë do na bashkohen rrugët.

Ndryshe nga Tirana dhe Dinamo, Partizani nuk është se është brilant, por po fiton, si të duket ky ekip këtë sezon Nesti?

Partizani më duket ekipi më në ekuilibër nga ekipet e kryeqytetit. Edhe pse ka mungesa, nuk ndjehen mungesat. Partizani është në rrugë të mbarë, shpresoj që të marrin sa më shpejt një trajner.

E prisje që Egnatia të ishte në krye, a beson se ky ekip mund të thyej hegjemoninë e ekipeve të kryeqytetit?

Unë Egnatian e kam ndjekur që në muajin prill. Më ka pëlqyer ekipi dhe sistemi i lojës. Është ekip i punuar mirë. Është një nga ekipet konkurrente sivjet për titull. Skuadra duhet të vazhdojë me këtë ritëm. Egnatia ka  cilësi për të përballuar Tiranën dhe Partizanin. Nëse heq ndjenjën e inferioritetit, mbetet pretendente.

Nesti, në fund të fazës së parë, doja të vendosnim disa nota, cili është ekipi që të ka befasuar më mirë dhe cili është ekipi që të ka zhgënjyer më shumë, përveç Dinamos, se e ke më të lehtë këtë?

Më ka pëlqyer Skënderbeu, është skuadër që e di çfarë e pret. Interesant është edhe ndryshimi i brezave. Ka ardhur momenti që disa lojtarë të hyjnë në garë. Superliga shqiptare është trampolinë, i rëndësishëm është ardhja e brezit të ri.

Kush është lojtari që të ka surprizuar më shumë, më i miri në sytë tuaj, dhe ai që prisje diçka më shumë?

Diferencën e bën Dwamena, më ka surprizuar. Futbolli është lojë grupi, vlerë të madhe ka sulmi. Në 2019 kishte shumë sulmues, tani nuk ka sulmues.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb