Pas rënies së komunizmit, ambasadorët amerikanë në Shqipëri nuk kanë qenë thjesht diplomatë. Në emisionin “Kjo Javë”, është folur për rolin e tyre në Shqipëri.
Në shumë raste, ata janë kthyer në figura kyçe të tranzicionit shqiptar, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimet politike, krizave të sigurisë, reformave në drejtësi dhe marrëdhënieve mes Tiranës dhe Uashingtonit.
Nga vitet dhe trazira të 1997-ës, te lufta kundër korrupsionit, reforma në drejtësi dhe përplasjet me politikën shqiptare, secili prej tyre ka lënë një gjurmë të fortë në historinë e vendit.
Disa u panë si ndërmjetës, disa si presion politik, e disa si arkitektë të një kursi të ri për Shqipërinë.
Këta janë ambasadorët amerikanë që shënuan epokat më të rëndësishme të Shqipërisë postkomuniste:
William Ryerson
Koha e qëndrimit në detyrë: 2 dhjetor 1991 – 13 tetor 1994
Për t’u mbajtur mend: Angazhimi në rrëzimin e komunizmit dhe hapjen e marrëdhënieve të reja mes Shqipërisë dhe SHBA.
Joseph Edward Lake
Koha e qëndrimit në detyrë: 6 korrik 1994 – 15 mars 1996
Për t’u mbajtur mend: Menaxhimi i marrëdhënieve të vështira mes Shqipërisë dhe SHBA, sidomos pas masakrës së Peshkëpisë, krizë që solli edhe dorëheqjen e tij.
Marisa Lino
Koha e qëndrimit në detyrë: 2 korrik 1996 – 20 maj 1999
Për t’u mbajtur mend: Menaxhimi i ngjarjeve dramatike të vitit 1997 dhe 14 shtatorit 1998, ndër periudhat më të trazuara politike në Shqipëri.
Joseph Limprecht
Koha e qëndrimit në detyrë: 6 korrik 1999 – 19 maj 2002
Për t’u mbajtur mend: Menaxhimi i pasojave të Luftës së Kosovës dhe marrëdhënieve rajonale. Më vonë humbi jetën tragjikisht në bjeshkët e Lurës.
James Franklin Jeffrey
Koha e qëndrimit në detyrë: 3 tetor 2002 – 2 maj 2004
Për t’u mbajtur mend: Lufta ndaj krimit të organizuar dhe deklarata e fortë: “Ne i njohim baronët e drogës në Shqipëri”.
Marcie B. Ries
Koha e qëndrimit në detyrë: 10 tetor 2004 – 20 gusht 2007
Për t’u mbajtur mend: Menaxhimi i raporteve të tensionuara mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri.
John Withers
Koha e qëndrimit në detyrë: 25 gusht 2007 – 10 nëntor 2010
Për t’u mbajtur mend: Menaxhimi i shpërthimit tragjik të Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, si dhe krizës politike që pasoi.
Alexander Arvizu
Koha e qëndrimit në detyrë: 9 nëntor 2010 – 10 janar 2015
Për t’u mbajtur mend: Menaxhimi i krizës së 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues.
Donald Lu
Koha e qëndrimit në detyrë: 12 janar 2015 – 25 maj 2018
Për t’u mbajtur mend: Beteja anti-korrupsion për kapjen e “peshqve të mëdhenj” dhe promovimi i reformës në drejtësi.
Leyla Moses-Ones, e Ngarkuar me Punë.
Koha e qëndrimit në detyrë: 27 maj 2018 – qershor 2021
Për t’u mbajtur mend: Monitorimi i proceseve zgjedhore dhe implementimi i “drejtësisë së re”.
Yuri Kim
Koha e qëndrimit në detyrë: Janar 2020 – qershor 2023
Për t’u mbajtur mend: Presioni i fortë publik ndaj politikës shqiptare për mbrojtjen e reformës në drejtësi, mbështetjen ndaj SPAK dhe vettingut, si dhe përplasjet e hapura me Ilir Meta dhe Sali Berisha pas shpalljes “non grata”.
David Wisner, i Ngarkuar me Punë.
Koha e qëndrimit në detyrë: 18 gusht 2023 – 5 gusht 2024
Për t’u mbajtur mend: Vijoi linjën e fortë amerikane për mbështetjen ndaj SPAK, izolimin politik të figurave “non grata” dhe kërkesën për llogaridhënie në polici e institucionet e sigurisë.
Nancy VanHorn, e Ngarkuar me Punë
Koha e qëndrimit në detyrë: Gusht 2024 – aktualisht
Për t’u mbajtur mend: Konsolidimi i marrëdhënies SHBA–SPAK, me fokus te lufta kundër krimit të organizuar dhe stabiliteti institucional.
