KAVAJË

Askush nuk e priste por ndonëse ka heshtur për gjatë këtyre ditëve për abuzimin e rëndë të një 13-vjeçareje në Kavajë, kryeministri Edi Rama ka vendosur të reagojë me një video ku shfaqeshin vetë prindërit e së miturës.

Edhe pse gjithë përfaqësuesit e PS në kundërpërgjigje ndaj deklaratave të kundërshtarëve të tyre politikë, ishin shprehur kundër mediatizimit të këtij lajmi, maxhoranca bëri krejt të kundërtën dhe i nxori ata para gjithë botës, me zë e me figurë. Ministrja Elisa Spiropali ishte pranë familjes së vajzës dhe bisedoi me ta.

Por ndërsa kryeministri Rama ka nxituar të publikojë videon në facebook, për të treguar se i qëndron pranë familjes së vajzës së abuzuar na Kavajë, BalkanWeb zgjedh të mbulojë fytyrat e prindërve të saj, në mënyrë që e mitura të mos identifikohet.

Një kërkesë kjo edhe e babait të vajzës, por që mesa duket nuk ka shkuar si duhet në vesh të kryeministrit. “Nëse do më lejoni iu bëj thirrje mediave në qoftë se jam plagosur një herë ju lutem mos më plagosni për së dyti. Unë kam mbyllur çdo ekran televizori, çdo ekran Facebook-u. Prandaj iu lutem me shpirt të gjithë mediave, keni fëmijë vetë mos iu raftë ky rast kurrë asnjërit por do t’ju lutem mbylleni njëherë e përgjithmonë këtë problem. Më lejoni ta përballoj me forcat e mia dhe me njerëzit e mi që më kanë mbështetur dhe do më mbështesin deri në fund. Ju falënderoj për mirëkuptimin. Mos e paçi këtë risk kurrë, asnjë o Zot. Kjo që më ndodhi mua të jetë e para dhe e fundit në Republikën e Shqipërisë”, tha babai i 13-vjeçares.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb