Fermerët e bashkive Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë, këtë verë nuk do të kenë më shqetësim ujitjen e tokave të tyre bujqësore. Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me njësitë vendore, ka nisur nga puna për rehabilitimin e kanalit ujitës Peqin-Kavajë, një ndër veprat më të rëndësishme hidroteknike, në shërbim të ujitjes, i ndërtuar kryesisht në periudhën 1952-1965, me një gjatësi rreth 40 km.

Punimet për këtë vepër u inspektuan nga Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla dhe deputeti i PS, Etjen Xhafaj. Veliaj e cilësoi jetik një investim të tillë, që do të ndikojë në rritjen e prodhimeve bujqësore dhe me impakt të drejtpërdrejtë në turizëm.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Nën drejtimin e Kryeministrit Rama, Shqipëria ka bërë një kthesë të jashtëzakonshme kur vjen puna për turizmin dhe bujqësinë. Në qoftë se më përpara i kishim njëshifrore arritjet në këto fusha, sot i kemi dyshifrore. Lumi Shkumbin i jep jetë gjithë zonës së Shqipërisë së Mesme. Mund të kemi disa kohë me shi të jashtëzakonshëm, dhe ndërkohë mund të kemi kohë të tjera ku nuk bie pikë shiu, dhe për këtë arsye, këto kanale janë jetike. Këto janë venat dhe arteriet tona. Në qoftë se kolesteroli bllokon venat e njeriut, plehrat që hedhim bllokojnë venat e një komuniteti të tërë. Këto janë venat më të cilat ushqehet ‘trupi’ i bujqësisë sonë. Prandaj, kjo që po bëjmë këtu është vërtet një operacion. Por, nëse komuniteti hedh prapë bagëti të ngordhura, plehra nga dritarja, atëherë do të thotë se kemi ndryshuar infrastrukturën, por nuk kemi ndryshuar kulturën. Në qoftë se ministria ka për detyrë të zhbllokojë 40 mijë kilometra kanale, ne kemi detyrë të zhbllokojmë 4 centimetra; duhet të kuptojmë se me këtë punë jetojnë shumë njerëz, ushqehet një Shqipëri e tërë, ushqehen turistë, çojmë për eksport, prodhojmë financa, rritet vlera e pronës”, deklaroi ai.

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës u shpreh se do të ndërmerret edhe një fushatë ndërgjegjësimi nëpër shkolla dhe komunitet për ruajtjen e këtyre investimeve. “Kur ecën bashkë infrastruktura dhe kultura, vërtet kemi bërë një vepër që do ngelet. Po të kemi mentalitet fitues dhe mentalitet pastërtor për këtë akt patriotik, që është bujqësia dhe turizmi, atëherë dashurinë për atdheun duhet ta shpjegojmë kështu: atdheu është ky investim, sepse me këtë pjesë të atdheut lulëzon mirëqenia e gjithë Shqipërisë së Mesme”, u shpreh Veliaj.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj tha se ky kanal shërben për ujitjen e rreth 8,000 ha tokë bujqësore në bashkitë Peqin, Rrogozhinë dhe Kavajë. “Me këtë investim përfundojmë jo vetëm një objektiv të qeverisë për të ndihmuar sistemin, por mbi të gjitha ruajmë 8 mijë hektarë në 3 bashki dhe kjo është ajo që vlen. Bashkëpunimi me pushtetin vendor është absolut. Edhe ne këtë bashkëpunim e shikojmë edhe në këto pjesët e tjera të vogla, që ndoshta në pamje të parë janë ndërhyrje të vogla në kanalet bujqësore, por pa e koordinuar punën sëbashku, pushtet qendror-pushtet vendor, ne nuk ia dalim dot që të përfundojmë një vepër për të gjithë përfituesit që janë pronarët e tokës”, tha Denaj.

Deputeti i PS, Etjen Xhafaj u shpreh se ky investim përmbush një kërkesë të banorëve të këtyre zonave. “Është një kanal, i cili e sjell ujin nga Çengela e Peqinit deri në zonën e Syneit. Ka qenë e domosdoshme të bëhej kjo ndërhyrje, e cila prek të gjithë banorët e kësaj zone, duke filluar nga zona e Sinaballit në Rrogozhinë, në Lekaj dhe Gosë dhe Sigurisht, synimi ynë është të vazhdojmë me riparimet, për të kaluar pastaj në sjelljen e ujit në zonën e Luzit të vogël dhe Syneit të Kavajës, e cila në fakt e kompleton këtë vepër që ka shumë dekada që është kështu. Në një farë mënyrë e kthen në efiçencë të plotë tokën”, deklaroi Xhafaj.

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm mes pushtetit vendor dhe atij qëndror për të çuar përpara projekte të tilla në dobi të komunitetit. Ky kanal është i rëndësishëm për bujqësinë, pasi shërben si burim ujor për funizimin me ujë për ujitje të rrjetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb