Një fregatë e marinës franceze, që ka shumë misione rrëzoi natën e së shtunës dhe mëngjesin e të dielës dy mjete ajrore pa pilot me telekomandë që po lëviznin drejt saj nga brigjet e Jemenit, njoftoi sot shtabi i përgjithshëm i mbrojtjes kombëtare në Paris.

“Përgjimi dhe asgjësimi i dy kërcënimeve” u bë në orën 22:30 dhe 00:30 (me orën tonë) “110 kilometra nga bregu i Jemenit, në lartësinë e Hodaidës” nga fregata me shumë misione Languedoc, sqarohet në deklaratën për shtyp.

Javën e kaluar, një destrojer amerikan rrëzoi tre drone dhe u dha ndihmë tre anijeve tregtare të shënjestruara nga sulmet e Jemenit, sipas Uashingtonit, i cili ka denoncuar një “kërcënim të afërt” për sigurinë detare.

Rebelët Houthi të Jemenit kërcënuan të shtunën se do të sulmojnë çdo anije që kalon Detin e Kuq për në Izrael, nëse nuk shpërndahet ndihma humanitare për popullsinë e Rripit të Gazës.

Rebelët shiitë, të cilët kontrollojnë kryeqytetin e Jemenit Sanaa dhe pjesën më të madhe të veriut të vendit, janë pjesë e asaj që është quajtur “bosht i rezistencës” kundër Izraelit, së bashku me grupe të tilla si Hamasi palestinez dhe Hezbollahu libanez, të cilët mbështeten nga Irani.

Në një deklaratë të ngarkuar në faqet e rrjeteve sociale, Houthis thanë se do të “bllokojnë kalimin e anijeve të drejtuara për në entitetin sionist” nëse banorët e enklavës palestineze, e cila është bombarduar nga Izraeli për më shumë se dy muaj, nuk marrin ndihmë humanitare, kryesisht ushqime dhe mjekime.

Kërcënimi vjen në një sfond të përshkallëzimit të shpejtë të tensioneve në Detin e Kuq që nga shpërthimi i luftës Izrael/Hamas më 7 tetor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb