NGA: FATMRIA NIKOLLI*
Kthim tek Thelbi” 2016 është një video-performancë pranë “Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Tiranë” me koncept dhe performancë të Raino Istos dhe realizim e filmim të Pleurad Xhafës. Si do t’i dukeshin monumentet një jashtëtokësori në të ardhmen?! A do t’i kuptonte ai? A do ndihej mes tyre, si një “alien”? “Nga e ardhmja e largët vjen në Varrezat e Dëshmorëve të Tiranës një vizitor- me shumë gjasë nga një qytetërim jashtëtokësor, por mbase një që ka rrënjët e hershme në Tokën tonë. I veshur i tëri në gri, vizitori i afrohet monumentit të ‘Nënës Shqipëri’, vepër e skulptorëve Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Muntas Dhrami, inauguruar më 5 Maj 1972. Vizitori djersin dhe lëkura e tij- duke shkëlqyer në dritën e diellit- duket e brishtë, sikur atmosfera e Tokës nuk është e përshtatshme për organizmin e tij. Në duar ai mban një libër. Vjen drejt monumentit, e hap librin, dhe shikon imazhin e ‘Nënës Shqipëri’ aty në faqet e para të tij: ai e ka gjetur atë që kërkonte, nëpër hapësirën dhe sistemet yjore”. Raino Isto e nis kështu shpjegimin e kësaj video-performance.


Raino Isto po mbron një PhD në Universitetin e Maryland-it, College Park, duke punuar kryesisht në monumentalitetin dhe ndërtimin e kujtesës në shtetet e Ballkanit gjatë viteve të socializmit. Një pjesë e madhe e kërkimeve të tij janë përqendruar në Shqipërinë socialiste dhe në ndriçimin domethënies global të realizmit socialist në vitet e pasluftës së Dytë Botërore. Interesat e tij kërkimore përfshijnë teoritë dhe praktikat e realizmit socialist global (sidomos ato të zhvilluara në vendet që ishin satelitë me qendër Moskën; marrëdhënia midis historisë dhe kujtesës në skulpturën monumentale të ish-vendeve socialiste në Europën Lindore. Ai i ka paraqitur kryqëzimet e artit, politikës dhe vetëdijes historike në Ballkan gjatë shekullit të 20-të në disa konferenca në Evropë dhe Amerikë dhe ka bashkëpunuar me artistë dhe aktivistë.

VIDEO-PERFORMANCA
Në video-performancë, personazhi i ardhur nga një tjetër qytetërim, me nderim, afrohet dhe e lë librin në tokë para bazamentit të monumentit. Ai më pas kthehet- e duke shikuar pamjen e Tiranës- bën përshëndetjen partizane, me grusht te koka. “Ngathët, sikur të ishte diçka që e ka parë vetëm nëpër emisione apo fotografi. Pas përshëndetjes, ai zgjat dorën drejt në çdo drejtim, në mënyrë kuptimplotë, duke theksuar horizontet e ideologjisë, shtrirjen e gjithanshme të ideve dhe idealeve të socializmit. Në fund fare, ai bën disa hapa përpara, shtrihet në shesh para ‘Nënës Shqipëri’ dhe ia zgjat dorën qiellit. Qielli: kufiri i fundit i komunizmit”, shpjegon Isto, videon e tij.

Mandej, ai sqaron se ideja e performancës i lindi nga kërkimet që kishte bërë më parë për monumentin ‘Nëna Shqipëri’, si dhe nga disa diskutime që ka bërë kohët e fundit me artistë që kanë bërë projekte të lidhura me monumentin (këtu e ka fjalën për Olson Lamaj-n dhe Filip Jovanovski-n, por edhe për bisedimet e tij me Muntas Dhramin, një nga bashkautorët e monumentit). “Jam marrë shumë kohët e fundit me marrëdhënien mes monumentalitetit (sidomos monumentalitetit socialist) dhe narrativat fantastiko-shkencore, të cilat janë temat që trajtohen shumë te veprat e artistit kroat David Maljkovi?. Maljkovi? ka bërë disa video/instalacione/kolazhe me titullin ‘Scenes for a New Heritage’, të cilat janë fokusuar te monumenti që ka bërë skulptor Vojin Baki? në Petrova Gora në Kroaci (inauguruar në 1981, kushtuar një kryengritjeje kundër forcave të Ustašes gjatë Luftës së Dytë Botërore)”, thotë Isto për “GSH”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)