Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –

                                                    ‘Nën hijen e Rozafës’    

Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjtë, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.

XXI

Në burg, ashtu si dy vjetët e maparshme, vendosemi në dhomat e caktueme. Kemi nevojë për pushim e ushqim e nuk gjejmë. Fatmirësisht, popullsia e burgut tonë, ishte “pasunue” me nji legjion të rinjsh, studentë të gjimnazit të Shkodrës, të dënuem për veprimtari “armiqsore”. Ishte nji grup i mrekullueshëm, të rij të torturuem, që kalojshin ditën tue u zbavitë me shaka të padamshme, ose lexime të kufizueme. Ajo që i karakterizonte, ishte nji frymë solidariteti, që kishte fitue admirimin e të gjithëve.

Pamja e tyne, që normalisht duhej të revoltonte çdo ndërgjegje njerëzore, për monstruozitetin e vet, – studentë, gjimnazistë ende të parritun mire, që tashti dergjeshin në burgun e errët të Shkodrës, vetëm sepse kishin shfaqë me gojë, ose me shkrim, pakënaqësinë e tyne për gjendjen e vendit – ishte ndryshue në nji faktor rezistence që frymëzonte ma të vjetrit, etënit e tyne të burgosun ma parë. Ata u banë gëzimi i “vorrit” që na mbante, u banë jeta e gjysëm të vdekunve, që ishim na, të burgosunit e parë, në ato ditë.

Me kalimin e kohës, ata krijuen në burg edhe kolonën vertebrore të rezistencës, kundër komunizmit e pushtetit që e përfaqësonte. Kjo landë e parë dhe e pastër, u banë shokët e mi ma të ngushtë. Krahas me këtë grup të rinjsh, në burg filluen të vijnë edhe elementë të tjerë, që u quajtën “titiste”. Mbas prishjes me Jugosllavinë e Titos, disa komunistë shqiptarë, filluen me ba dallime në mes të socializmit “stalinist” dhe atij “titist”.

Dy nga ata ishin “vullnetarë” në luftën civile të Spanjës, kishin dëshmue përleshjet në mes “të anarkistëve” e “stalinistëve” dhe ishin kthye me nji përbuzje për “kontrollin absolut” që ushtronte mbi “vullnetarët” elementi stalinist. Në konfliktin Tito-Stalin, ata shihshin konfliktin e Spanjës, e radhiteshin me entuziazëm në anën e Titos. Për “stalinistët” e Tiranës kjo ishte “tradhti ndaj atdheut të socializmit”.

Diskutimet tona, megjithëse të kujdesshme zhvilloheshin me pasion, por toni i tyne ishte i qytetnuem. Ata ishin të pakët. Grupi jonë “pro-perëndimor”, shumica studentë universitarë e gjimnazistë, zyrtarisht të njohun si “agjentë të imperializmit amerikan”, kishte krijue nji dinamikë të vetën dhe ushqehej, qoftë me lexime, qoftë me deduksione të arrituna gjatë orëve të gjata të meditacionit, që burgu ofronte në sasi të mëdha.

Suksesi jonë ishte nji unitet mendimi, që nuk ishte uniform, dhe nji solidaritet i pakufi, që lehtësonte jetën e përditshme për secilin prej nesh. Për mue, ardhja e studentëve gjimnazistë, hapi shtigje të reja në jetën e mbyllun të burgut, krijoi miqësi të reja, e me shty me marrë orientime të reja, që akordoheshin me mendimet e dëshirat e këtyne të rinjve, të pastër e idealiste. Ishte nji brume, që premtonte shumë.

Për shumë nga të burgosunit, sidomos për të moshuemit e fshatarët pa arsim, ditët ndjekshin netët me rregull, me ritëm si tespihet e plakut Myrto, që pikojshin gjithë ditën, gjithë mbramjen, për javë, muej e vjetë pa pushim, pa ndryshim, sikur dojshin me vra kohën që i mundonte…! Nji ditë që lindë, nji natë që ngryset, nji shok që smuret, nji roje që çmendet, nji mik që vdes, nji i ri që plaket, nji plak që bahet fëmijë, nji ushtarak që këndon, nji tjetër që heshtë, nji i burgosun që shkrihet nga uria, vdes, del përjashta si kufomë e, mbulohet në nji gropë pa shenj.

Të tjerët pritshin dimnin, kur era e të ftohtit e bora hyjnë në dritoret e dhomës që nuk kishin xhama, buzët zi si katrani, sytë e skuqun, duart akull e kambët e ngrime, derisa ngriheshin përgjithmonë, si ata të shokëve të panumërt, që çdo dimën përcillshin pa muejtë me i qa, copa akulli të pathyem, kockë e lëkurë, të përqafuem ngushtësisht e, besnikë për jetë e vdekje! Vetëm “i krisuni”, vazhdonte punën e vet, pa u trazue.

Si përherë, ai shkonte e vinte nëpër korridorin e ngushtë në mes të shtretënve, duart mbas shpine, kokën ulun, e me monotoninë e fjalëve të tij, që na i njihshim mirë, pa humbë asnjiherë tonin serioz të shprehive, shfaqte mendimet që e trazojshin çdo ditë, për nji vjet me radhë: “Kur të dal përjashta, e unë do të dal nji ditë, pse të mos dal? Fundi i fundit nuk jam fajtor…! Le të dalë kush dëshiron përballë, flitni! Pse nuk flitni?! Thuejeni atë që keni në mend, unë ndigjoj mirë! Atëherë, pse unë do të dal përjashta nji ditë pse jo, pse të mos dal?! Sigurisht do të dal…”?!

Nga oborri i brendshëm, përgjigje zhurma e çizmes ushtarake të rojes së qelive që afrohej, vente kokën në dritoren e dhomës e si zakonisht, mbasi nuk shihte gja në errësinën e brendshme, largohej pa folë. Atëherë, nxjerrte çelsat nga xhepi ku varej edhe bilbili, e me autoritetin e pakufizuem që e kishte veshë regjimi kriminel, jepte urdhnin e ditës: “Derra, dilni në nevojtore! Dhoma shtatë, shpejt! Vetëm dhjetë minuta keni. Shpejt”! Njiqin veta, dilshin me vull nga dera e dhomës, me krye nevojet personale në tri nevojtore, brenda dhjetë minutash! Jetë burgu, ma keq se në çmendinë!

Në njenën nga qelitë e izolimit, mbahej nji djalosh nga Luma. E quejshin Mehmet. Ata që e njihshin, treguen se akuzohej për vrasjen e dy anëtarëve të Partisë në katund, njeni prej të cilëve, i kishte shpëtue vdekjes për mrekulli. Tashti, ai kërkonte hakmarrje. Gjykata e Kukësit, nuk kishte qenë plotësisht e bindun; megjithatë, e kishte dënue me dhjetë vjet burgim. Komiteti i Partisë, kishte ndërhye tue ngulë kambë, për nji dënim me vdekje.

I dënuemi ishte gjykue përsëri, dënue “me vdekje”, e transferue në burgun e Shkodrës, ku priste ekzekutimin. Në burg ishte rregull, që të burgosunit me vdekje, të ushqeheshin vetëm me bukë e ujë, në qelitë e izolimit, si poshtnimi i fundit para vdekjes. Kishte raste kur të dënuemve, u thyeheshin gjunjët me çekan, me evitue çdo mundësi arratisjeje…! Nji ditë, vendosëm me dërgue ushqim në qeli. Me kujdesin ma të madh, i hidhshim diçka, nëpër dritoren katrore të derës së qelisë, e nji shprehje inkurajimi.

Ditën e radhës sime, roja me pau, më kapi për zverku, e më hodhi në qeli, për shtatë ditë me radhë, pa shtrat, pa ushqim. Vetëm bukë e ujë! Krahas qelisë sime, ishte tashti Mehmeti. U morëm vesh me trokitje në mur. Ai e kuptoi gjendjen e, filloi me qa. Nganjiherë, ngrente zanin: “Më vjen keq, bre vlla”! përsërite, e diçka tjetër, që nuk kuptojsha. Dy ditë ma vonë, e nxorën nga qelia. Kishte takim me prindët. Ishte hera e fundit. Ndigjova zanin e Mehmetit, që dridhej prej emocionit.

Mandej atë të babës, që i foli me za të naltë: – “Mos kështu, bre djalë! Çka t’u tham shokëve për ty? Qëndro burrë”! – “O tatë! Më vjen keq për ty e për nanën…! Jeni pleq e të këputun…! Sa për vete, unë e kam ba mendjen me kohë”, – u përgjegj Mehmeti, e shtoi: “Fol o loke nji fjalë, pse s’po flet?” E ama qante me lotë e dënesë, pa folë. Edhe në këtë çast solemn, para vdekjes së djalit, ajo mbeti simbol i pozitës së grues shqiptare: vuej e vdis pa za! Ma në fund, nuk u durue, e me nji za që dridhej, por që u ndigjue mirë, ajo shqiptoi: – “Në dorë të Zotit, o Mehmet, në dorë të Zotit, çka pret tjetër prej nanës, që mbeti pa djalë”!

Roja e burgut këputi takimin e Mehmetit u kthye në qeli, i heshtun e i tronditun. Atë ditë, as ai, as unë, nuk trokitëm. Të nesërmen, ai hapi nji vrimë të vogël në mur e, filloi me frye. U afrova. – “A më ndigjon”? – pyeti. – “Po”, – përgjegja. – “Kam letër e laps, – më tha, – e do të shkruej diçka për jetën time, që askush nuk e din. A mundesh me e ruejtë letrën për prindët, deri kur të lirohesh nga burgu”? I tronditun në mënyrë të pakontrollueshme, i premtova pa mendue fare. Kush ka guxim me mohue nji kërkesë të këtillë, nji të dënuemi me vdekje?

Mehmeti kishte shkrue gjatë natës, nën dritën e llampës së oborrit. Të nesërmen, ai zgjanoi vrimën e murit e kaloi letrën. Pa e lexue këtë relike të shenjtë, e vuna në nji cep të xhaketës sime. Pak orë ma vonë, dy roje të zemrueme erdhën në qelinë e Mehmetit. “Ku është lapsi?” i thojshin, “ku është letra?” Mehmeti betohej, se nuk kishte laps, as letër. Para nji gjendjeje të këtillë, i frikësuem se mund të zbulohej letra e sekreti i viktimës, vuna letrën në gavetën plot ujë. Letra u lag, e shkrimi filloi të shkriftohet dalëngadalë, derisa u zhduk krejtësisht. Atëhere, kapërdiva letrën e lagun.

Shikova ujin që ndryshoi ngjyrën, e rrethet e bojëzimit që zgjanoheshin, deri sa arrijtën anët e gavetës që përpiu sekretet e të dënuemit me vdekje, njiherë e përgjithmonë. Përfundimi i shkrimit që duhej të mbijetonte Mehmetin e, që mori nji randësi fetare për mue, vuloste pamundësinë tonë, me luftue fatin, nji dëshmi e kufizimit të fuqive tona, para forcës brute që na mbytë, e provë e fundit e fatit, të njeriut mbi tokë. Atë mbramje, Mehmetin e tërhoqën nga qelia, për ekzekutim.

Të nesërmen më lejuen kthimin në dhomë. I lodhun nga izolimi i ashpër, isha gjithashtu i dërrmuem shpirtnisht. Më dukej sikur në këtë masakër të Mehmetit, kisha kontribue edhe unë me vdekjen e pariparueshme, që solli asgjasimi i sekreteve të jetës së tij, sikur i kisha mohue viktimës, mbijetesën! Në dhomë, përcillsha me mend udhëtimin Shkodër-Kukës, të prindëve të Mehmetit, që i sjellshin shpinën për herën e fundit, djalit të tyne të vetëm.

Me dy djelm të pushkatuem pa faj, prindët, duhet të kenë pyetë veten për fatin e keq që i kishte molisë, e ndoshta, në formën e thjeshtë të besimit të tyne, duhet të kenë gërmue thellë me zbulue, ku kishin gabue e zemrue nji Zot, që tashti i ndëshkonte kaq randë! Në jetën e vështirë e përherë të rrezikueme nga ngjarjet e vendit, e jashtë vendit, që bajshin banorët e Lumës, nuk muejsha me gjetë përgjigje bindëse, për praninë e “së keqes” mbi tokë, në nji shpjegim kaq naiv.

“E keqja” në Shqipninë komuniste, ishte degradimi i plotë moral i shtetit e i shoqnisë, ishte vesi në lulëzim, dëshira e ndërgjegjshme me ba keq, me damtue, me thye zemrat e kockat e nji popullsie të shtrueme nën kambë, ishte qëllimi e pikësynimi i mbrapshtë, nji smundje psikologjike, që korruptonte mendje e zemra, derisa i dërgonte në çmendinë.

Para nji orteku të këtillë, prindët e Mehmetit, nuk gjejshin mjet e armë tjetër me e kundërshtue, veçse besimin e tyne pa pyetje në Zotin, e frymën e fatalitetit që ai besim këshillonte. “Në dorë të Zotit, o Mehmet”! i thonte e ama, e baba e ftonte, mos “me u ligështue”, sepse do të ballafaqonte “shokët”, e nuk dinte çka me u thanë! Sikur vdekja e Mehmetit, zinte vendin e dytë…?!

Vjetët e gjata në burg, të mbyllun si në stallën e bagëtive, sollën efektin e tyne, të paevitueshëm. Fillova të humb durimin e njifarë ndjesie, që rridhte nga pamundësia “me ba diçka”, me folë lirisht, me u shprehë ashtu si u ndiejsha, e me studiue, me zgjanue horizontin tim kulturor, u randue aq shumë, sa më mbuloi dëshprimi. “E keqja” që na kishte zanë për gryke, rritej çdo ditë, pa asnji shej se do të përfundonte.

Disa trakte klandestine të qarqeve të emigracionit politik shqiptar, të hedhun nga ajri, ishin të thata, e nuk hapshin perspektiva të reja. Ideja e “çlirimit”, që përpunohej aty, përqendrohej kryesisht në demaskimin e imperatorisë sovjetike, dhe krijimin e NATO-s, si mburojë e Botës së Lirë. S’ka dyshim se nji lajm i këtillë, na jepte kurajo. Por, njikohësisht, u ba e qartë, se bota ishte nda në dy kampe, e se Shqipnia, ishte katërcipërisht në “Kampin Sovjetik”.

Në këtë ballafaqim viganësh, vendi jonë shihej si nji gru shahu pa randësi. Ajo që më shqetësonte edhe ma shumë, ishte fakti se ndryshimet lokale brenda kuadrit të dy kampeve kundërshtarë, ishin praktikisht të pamundshme. Jugosllavia ishte nji përjashtim që nuk do të përsëritej. Ky zhvillim negativ na friksonte e bante “ditën e lirimit”, nji mirazh të largët për sytë e trupave tona të lodhun.

XXII

Në fund të majit, të gjithë të burgosunit, u grumbulluen në oborrin e jashtëm. Para nesh, kishim nji grup oficerësh të Sigurimit të Shtetit, dhe nji mjek me rrobën e bardhë. Ishte koha e punës. Frika e madhe nga puna e randë që përballojshim, kësaj radhe nuk më pengoi të mirëpres largimin nga burgu i errët, që më dukej si nji makinë mishngranëse. Aty, vetëm vdekja na priste. Në kamp kishim, të paktën, ajrin e diellin që na mbajshin gjallë. Atë ditë, drejtori na lajmëroi se, largimi jonë prej burgut, kësaj radhe ishte i përhershëm.

Puna në kampe, do të vazhdonte edhe gjatë stinës së dimnit. U këshilluem me marrë të gjitha plaçkat, “leckat” e fjetjes, e “zhelet” e trupit. Nuk u trondita! Mbas tri vjet përvojë, isha forcue mjaft fizikisht e emocionalisht, me përballue rrezikun. Ende i ri, kisha besim se do të mbijetojsha edhe pesë vjetë të tjera, për plotësimin e dënimit, e dija e takimit me mjaft shokë të burgjeve të tjera, më tërhiqte. Natyrisht, isha njeni nga emnat e parë në listë.

Mblodha “leckat” e mbetuna, u përshëndeta me shumë mall me disa prej shokëve pleq të burgut e, të smurët që nuk do t’i shihsha përsëri, e dola në sheshin e oborrit, në pritje të kamionëve, e të nisjes. Çuditërisht, isha i qetë! Shqetësimi im, tashti ishte familja, që për arsye të largësisë së kampit, nuk do të kishte mundësi me vizitue. Nana, e lirueme nga kampi, ishte plakë shumë e nga vuajtjet e papërshkrueshme, e shëndeti i saj, me frikësonte.

Mbetej vetëm shpresa! Nga tregimet e rojeve, kuptuem se do të punojshim në bonifikimin e fushave te Kavajës, Lushnjës e Fierit, në nji rrjet të gjatë e të gjanë kanalesh kulluese, mbledhëse e vaditëse. Ishte nji projekt, që do të zgjaste disa vjet. Përsëri, të lidhun me zinxhirë e litarë, në grupe gjashtë vetash, udhëtuem gjithë ditën, deri në kampin e Kafarit. Zbritëm prej kamionit, u ndamë në brigada pune e, u sistemuem në baraka të mbulueme me kashtë kënetë e, llamarina të ndryshkuna.

Në kamp, u takuem me shumë shokë të vjetër prej burgjeve tjera, e ashtu si ma parë, u formue fryma e solidaritetit. Ishte dhurata ma e madhe, mbas izolimit në burg. Puna filloi me ritëm të shpejtë e, me normat e detyrueshme. Ushqimi ishte përsëri i dobët, trajtimi nga rojet i ashpër, e orë të gjata në punë. Por na u adaptuem pa vonesë, e në punën e kanalit, ndihmojshim me plotësue normën, edhe shokët tonë ma të dobët.

Për fat të keq, përpjestimi në mes të burgosunve “politikë” dhe atyne “ordinerë”, kishte ndryshue mjaft, me rritjen e madhe të hajdutëve në kooperativat bujqësore e, dyqanet e shtetit. “Të gjithë vjedhin”, – rrëfeheshin disa prej tyne. “Nuk jetohet ndryshe. Pagesat janë shumë të ulta”! Nga bisedat me ata që vijshin në kamp çdo muej, kuptojshim gjendjen e jashtme të vendit. Përshkrimi i uniformitetit të jetës përjashta, dhe regjimentimi i plotë i veprimtarisë së tyne, në qendrat e punës e jetës shoqnore, më bante përshtypje të madhe.

Sikur “bota jashtë”, nuk kishte shumë dallim, prej jetës brenda në kampet e punës së detyrueshme. Ditët e muejt, ndiqshin njeni-tjetrin pa dallim, me përjashtim të ndryshimit të stinëve, që tërhiqte vëmendjen tonë. Dimni, kishte mjaft ditë pushimi. Data e mueji, ishin nji luks, për ata që shqetësoheshin. Të tjerët flejshin gjumin e randë, të kafshës që punon gjithë ditën, e pushon natën në haur. Librat ishin shumë të paktë, gazetat nuk lejoheshin, e bisedimet tona ishin përsëritëse.

Nuk kishte ma asnji dyshim se, truni jonë, atrofizohej çdo ditë e ma shumë, e kurioziteti jonë intelektual, pësonte nji grusht të randë. Të lodhun, të uritun, të palame për mungesë uji, jetojshim në nji ambient, ku hajdutë e kriminelë, ishin gati me ushtrue profesionin e tyne, në kurrizin tonë, “të politikanëve”, vetëm me fitue simpatinë e komandës së kampit, e mundësisht, lirimin nga burgu, ku ktheheshin për të satën herë. Por në këtë atmosferë frikë e rreziku, grupet tona, shtrënguen radhët e mbrojtën veten me guxim. U krijuen dy shoqni të ndryshme kundërshtarë.

Komandantët e brigadave dhe informatorët e tyne, ushqejshin mshehtas komandën e kampit, me “raporte” kundër nesh. Në disa raste, grupi jonë “merrte masa”, spiunët provokoheshin e rraheshin pa mëshirë. Nji akt i këtillë, siguronte izolimin tonë në qeli gjatë natës, por mesazhi i dhanun, ishte i qartë e ndalonte sulmet fizike, kundër nesh. Kishte edhe “ordinerë” të tjerë, që afroheshin me ne. Ishin “kulakët”, ose ata që nuk kishin plotësue “detyrimet”, ose ishin burgosë për faje të tjera, që “pushteti” i krijonte si mbas nevojës.

Për këtë element, na ishim gjysëm heroj e, nga ata gjejshim përkrahje në çdo pikëpamje. Nganjiherë, gjindej nji i ri që, edhe në mes vuejtjesh, gjente kohë me këndue lehtë kangët sentimentale të vjetëve djaloshare, me nji patos që na prekte thellë e, na kujtonte jetën e jashtme që, tashti dukej aq e largët, e jo reale. Zani i trishtuem i kangëtarit të ri, shprehte formën ma të thellë, që kishte marrë vuejtja jonë: ishte e bukura e shtypun pa mëshirë!

Ai za bahej, simbol i vuejtjes së pafund të njeriut krijues, të artistit, në ballafaqim me pashpirtësinë e padronit-pushtet, që mbante dhunën, si të vetmin mjet me zgjatë jetën e vet, të pakuptim. I burgosuni që këndonte, më kujtonte temën e bilbilit, ne nji legjendë mesjetare gjermane, ku tregohej se; “pronari” verbonte zogun magjepsës që, në konkurs me të tjerët, të këndonte ma përmballshëm, nga dhimbja e syve të përvluem!

Ditët kalojshin pa asgja të re: punë në baltë, mungesë uji të pijshëm, ushqim i dobët, dënime pa bukë, të rrahuna pa arsye e, izolime ne kabina teneqeje të ndryshkun, për akuzën ma të vogël, ose për “qejfin” e autoritetit, që kishte humbë çdo lidhje me arsyen, e me zemrën. Si të gjithë, edhe unë ngrihesha në mëngjes, merrsha gjellën, bollgur ose patate të zieme, në ujë e krypë, hajsha për nevojë e, pritsha gjysëm i fjetun urdhnin, me u nisë për punë. Kanali Vjosë – Levan-Fier, na priste me gojë hapun! /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: