Për ti promovuar gjithnjë e më shumë bukuritë natyrore të Rrajcës , bashkia e Përrenjasit dhe banorët e kësaj zone këtë fundjavë organizuan në Fushë Dardhë në Parkun Kombëtar Shebenik -Jabllanicë , festën tradicionale “Jehonë e Daulles ne Ahet e Shebenikut”.

Gazetari Fatmir Popja raporton për “News24” se në këtë festë merrnin pjesë qindra banorë  jo vetëm nga fshatrat e  Bashkisë Prrenjas por edhe nga zonat përreth si dhe mjaft emigrantë të fshatrave të Rrajcës që jetojnë e punojnë në Europë e gjetkë, të cilët kishin zgjedhur për të festuar në  natyrën e mrekullueshme të Rrajcës , gatimet tradicionale plot shije dhe larminë e valleve e kostumeve popullore.

Kryetari i bashkisë së Përrenjasit, Nuri Belba  duke përshëndetur të pranishmit në këtë festë u bëri thirrje atyre që të gjithë  së bashku të bëjnë gjithçka për promovimin e bukurive natyrore të Rrajcës dhe çdo zone tjetër të bashkisë ku ata jetojnë sepse kjo zonë ka destinacione të shumta turistike .Festat Lokale duhet ti nxisin emigrantët për të menduar të investojnë në fushën e turizmit malor pasi ajo po kthehet kohët e fundit në një industri fitimprurëse.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkaq tha kryebashkiaku Belba, “festat lokale duhet ti shfrytëzojmë  edhe  për promovimin e destinacioneve turistike sepse të gjitha fshatrat e bashkisë Përrenjas kanë bukuri natyrore  përrallore që mahnitin të huajt që i vizitojnë pasi  këto zona kanë tradita, histori, trashëgimi , kulinari  e mikpritje të shkëlqyer”.

Fushë Dardha e Rrajcës ku zhvillohet festa tradicionale “Jehonë e Daulles në Ahet e Shebenikut ” për  nga pozicioni gjeografik ka mundësuar dhe mundëson një turizëm malor të veçantë.

Shtimi me ritme të larta  vitet e fundit i vizitorëve të huaj e vendas  për peshkim në ujerat malore të kësaj zone si edhe  ecjet  sportive, kalërimi e  alpinizmi, tregon se Fushë Dardha e Rrajcës  është kthyer tashmë në një ndër vendet më të preferuara të Parkut Kombëtar Shebenik -Jabllanicë për vizitorë të huaj dhe vendas pasi brenda parkut gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri madhështore, të cilat ndodhen në një lartësi mbi 1900 metra mbi nivelin e detit.

Rrajca e bashkisë Prrenjas është  një ndër atraksionet më të bukura turistike të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë  në rrethin e Librazhdit dhe prej vitesh është kthyer në një nga destinacionet e  preferuara të  turistëve vendas dhe të huaj sepse ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore.

Liqenet akullnajore të Rrajcës, pjesë e këtij Parku,  e bëjnë këtë zonë  një nga destinacionet e veçanta turistike natyrore që mund të eksplorohen në çdo stinë.

Pyjet e vjetra madhështore të  ahut  dhe liqenet akullnajore të Rrajcës, janë simboli kryesor i kësaj zone me një pamje tepër piktoreske që  tërheqin me mijëra turistë  të huaj dhe vendas.

Masivi pyjor me ahe i Rrajcës  është i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s. dhe i përket zonës së Trashëgimisë Botërore të pyjeve të vjetër të Ahut që janë pasuri vetëm e 12 vendeve në të gjithë Botën..

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb