Gazetari Shkodran Hoti, në një intervistë në News 24 foli për zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në Kosovë.
Hoti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar kandidatin e saj, që është ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, teksa shtoi se edhe parti politike të tjera kanë prezantuar kandidatët e tyre. Ai foli me detaje për kandidaturat e Prishtinës.
“Zgjedhjet lokale janë caktuar më datë 12 tetor. Vëmendja do jetë këtu, edhe pse Kosova po përballet me faktin që nuk konstituon parlamentin. Partitë politike po publikojnë emrat e kandidatëve për kryetarë komunash. Nuk po shikojmë ndonjë para-fushatë. Sytë deri tani kanë qenë nga Prishtina, ku secila parti pritet ta publikojë kandidaturën. Kandidaturën e ka zyrtarizuar Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, që është ministër i Kulturës. Çeku është kandidaturë e papritur. PSD ka propozuar Besa Shahinin. AKK ka zyrtarizuar Bekë Berishën, ndërsa LDK do të vijojë me Përparim Ramën, kryetarin aktual. PDK nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën, por flitet emri i Uran Ismailit. Në komunat e tjera janë pak a shumë emrat që kanë edhe herë të tjera. Mendoj se Përparim Rama do të jetë kandidaturë e përbashkët e PDK dhe e LDK. Ka pakënaqësi ndaj kryetarëve të komunave në mbarë Kosovën dhe kjo është normale”, tha Hoti.
Më tej, gazetari Shkodran Hoti vlerësoi se krizën në parlamentin e Kosovës mund ta zgjidhë vetëm Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, kriza në parlament vetëm i bën dëm demokracisë së Kosovës.
“Tashmë gjithçka po përsëritet në Kuvendin e Kosovës. Janë bërë 34 përpjekje dhe nuk ka asnjë të re për konstituimin e parlamentit të Kosovës. Të gjitha shpresat janë të bazuara tek Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së AAK. GJK pritet të kthejë përgjigje për dy muaj. Nuk e dimë nëse përgjigja e zgjidh krizën në parlament. Nëse nuk ka përgjigje të prerë nga Gjykata Kushtetuese, ngërçi mund të vijojë pa fund. Nëse nuk do kemi zgjidhje, Kosovës do i kanosen probleme të tjera”, deklaroi Hoti.