Agjentë të autoriteteve italiane kanë zbarkuar të enjten në SPAK, për të marrë në pyetje killerin me pagesë Nuredin Dumani, i cili po shihet si “minierë ari” edhe nga agjencitë e huaja.

Dyshohet se Dumani ka dijeni edhe mbi ngjarje të rënda kriminale të ndodhura jashtë vendit.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas informacioneve hetuesit e antimafias e kanë pyetur Nuredin Dumanin për disa episode mes tyre edhe për trafik lendesh narkotike por edhe vepra të tjera penale.

Mësohet gjithashtu se interes për të pyetur vrasësin me pagese për ngjarje të caktuara ku janë përfshire grupe kriminale shqiptare kanë shfaqur edhe agjenci te tjera ligjzbatuese të vendeve europiane.

Kujtojmë se Nuredin Dumani  u arrestua në 2022, i dyshuar si autor i atentatit në Elbasan ku mbeti i plagosur Talo Çela.

Ai ishte një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.

Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë dhe dy personave të tjerë.

Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Vëllezërit Haxhia, gjithmonë sipas dëshmisë së Klevis Allës, kanë deklaruar se paratë i kanë humbur në muajin janar të këtij viti, kur servisi i tyre ra pre e vjedhjes, ku i morën edhe materiale dhe nuk kishin asnjë mundësi për t’i kthyer pas. Dumani është shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.

Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij

Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.

Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: