Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur aksionin të strukturave të policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, i cili dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla shpreh bindjen se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar.

“Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar kështu ngjarje të rënda kriminale dhe terrori, për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse. Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar. Qytetarët presin më shumë prej nesh”, shkruan Balla.

Nga operacioni policor “Knock Out 3”, i zhvilluar nga strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u kap në flagrancë një 51-vjeçar, banues në Lezhë, i cili i kishte fshehur 4 minat me eksploziv C4 në kroskotin e automjetit që drejtonte.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb