TIRANE– Kryetari i Komisionit Hetimor për “Tahirin”, Edi Paloka thotë se puna për këtë proces do të vijojë deri në fund dhe nuk do të lejohet bllokimi i tij. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, deputeti demokrat Edi Paloka, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, tha se puna hetimore e deputetëve do të jetë e pavarur nga kolegët në Komision.

Paloka theksoi se për këdo që do të tentojë të bllokojë punën e Komisionit Hetimor, ai do të kërkojë ndjekje penale.

Duke u ndalur tek akuzat e deputetëve të mazhorancës një ditë më parë për arsyen e ngritjes së këtij komisioni, Paloka tha se opozita e kishte kërkuar këtë gjë, para daljes së asaj që e cilësoi “barsoleta me rusë”.

“Deputetët e mazhorancës kërkuan 1 javë kohë, edhe pse u duk e tepërt. Por ky komision do të shkojë deri në fund, dhe do ta realizojë qëllimin e tij, duan apo nuk duan anëtarët e mazhorancës. Ky komision po heton gjithë pengesat që i janë ngritur drejtësisë për të penguar arrestimin e Saimir Tahirit. Ky komision është kërkuar shumë kohë më parë se të dilte kjo “barsoleta me rusë”. Kjo ka dalë pikërisht tani për të hequr vëmendjen nga hetimi i Tahirit, si dhe nga 613 kg e kokainës që u kapën në Durrës.
Çdo deputet mund të hetojë pa u penguar nga të tjerët. Nuk mund të pengojë mazhoranca asnjë deputet të opozitës që të hetojë. Në duan mund të vijnë dy herë në javë në komision, siç u vendos, nëse duan mund të mos vijnë, por nuk mund ta bllokojnë punën e tij. Ka ndodhur edhe më parë që, institucioneve që u është kërkuar të japin materiale, dokumente apo informacion nuk e kane sjellë atë në kohën e duhur dhe e kanë penguar hetimin. Nëse kjo do të ndodhë këtë herë, personi përgjegjës për dhënien e informacionit do të shkojë direkt për ndjekje penale”, u shpreh Paloka.

I pyetur nëse puna e Komisionit Hetimor e pengon hetimin e Prokurorisë për ish-ministrin e Brendshëm, deputeti demokrat tha se:

“Komisioni Hetimor për Tahirin nuk e pengon hetimin e Prokurorisë për këtë çështje. Ne nuk hetojmë direkt Tahirin, por gjithë periudhën kur Shqipëria u kanabizua, kush ishin ata që e toleruan, pse e toleruan, a kishte një strategji për kanabizimin? Dhe për këtë në duam përgjigje. Jemi të bindur që ka patur një strategji që shkoi deri në zgjedhjet parlamentare. Pastaj do hetohen procedurat që u ndoqën për të penguar drejtësinë për ndjekjen penale të Saimir Tahirit. Dhe këtu nuk ka asgjë antiligjore. Po të kishte diçka të tillë, të jeni të bindur se mazhoranca nuk do ta lejonte ngritjen e Komisionit”.

Teksa shprehu bindjen e opozitës se kanabizimi i vendit ka qenë i qëllimshëm, Paloka tha se gjatë punës së Komisionit Hetimor do të paraqiten prova dhe fakte.

“Mendoj se ka mjaftueshëm fakte, edhe nga ato që janë bërë publike deri më tani. Ajo mjaftojnë për të vërtetuar se kanabizinmi i Shqipërisë ka qenë i qëllimshëm dhe se drejtësia u penguar për të vepruar ndaj Saimir Tahirit. Këto janë objektivat që ka ky komision. Kemi bindje për këto që themi, por kjo duhet vërtetuar me prova dhe fakte”, u shpreh deputeti demokrat Edi Paloka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb