Papa Francesku shpreh qëndrimin e tij pro nisjes së negociata për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo ishte tema kryesore e bisedës mes kreut të Vatikanit me presidentin shqiptar Ilir Meta, gjatë pritjes në një audiencë në Pallatin Apostolik në Vatikan.

Kreu i Shtetit shqiptar, sakaq zhvilloi edhe një bisedë me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit.

Këtij takimi i kanë bërë jehonë edhe mediat italiane, të cilat kanë vënë theksin në qëndrimin pro të Papës ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta u vunë re marrëdhëniet pozitive midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe kontributin e Kishës Katolike lokale në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, veçanërisht të të rinjve”, thuhet në deklaratën e Vatikanit.

Në këtë kontekst, sipas njoftimit, gjatë takimit “janë adresuar çështje me interes të përbashkët, ndër të cilat përmendet rëndësia e promovimit të lirisë fetare dhe bashkëjetesës paqësore, si dhe vazhdimi i angazhimit ndaj dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor. Disa çështje janë shqyrtuar gjithashtu në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor”.

“Më 28 prill 2009 Tirana bëri kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në vitin 2015, Këshilli i BE-së i dha asaj statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Pritet që negociatat zyrtare të fillojnë në qershor 2019, në më pak se një vit. Për Brukselin Shqipëria duhet të bëjë “përpjekje të konsiderueshme” për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian. Çështjet kryesore ku duhet të përqendrohen kanë të bëjnë me mjedisin, kontrollet financiare, të drejtat themelore të individëve, drejtësinë, sigurinë, politikat sociale, sigurinë ushqimore, pavarësinë e medias, të drejtën e pronësisë intelektuale dhe lëvizjen e lirë të mallra. Vitin tjetër gjithmonë në qershor, do të fillojnë negociatat me Maqedoninë”, shkruan “liberoquotidiano.it”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb