Mike Tyson është prezantuar me fanellën e Juventusit, teksa klubi torinez shkruan në rrjetet sociale: “Stërvitja e Juves do të jetë shumë më e vështirë nga sot. Bardhezi, padyshim janë ngjyra që ju përshtaten”.

Poza e kampionit të boksit, që tregon muskujt dhe numrin 1 të personalizuar, dhuratë e realizuar dhe dhënë atij nga klubi i Juventusit, është bërë një “hit” i madh në Instagram dhe rrjetet e tjera sociale. Tyson është në Torino për lançimin e filmit “Bunny-Man”.

Ai luan rolin e një superheroi të maskuar, që mban fytyrën e një lepuri për t’u hakmarrë për vdekjen e motrës, e cila kreu vetëvrasje pas përhapjes së imazheve pa pëlqimin e saj. Ish-kampioni i shumëfishtë i botës në boks, peshat e rënda, luan një nga rolet kryesore në filmin e ri të prodhuar nga “TaTaTu” dhe Andrea Iervolino.

Tyson do të qëndrojë në Itali deri në fund të javës, por ka deklaruar se do të rikthehet patjetër për të xhiruar një film si protagonist, me një regjisor që ka fituar dy çmime Oscar, emri i të cilit megjithatë do të zbulohet vetëm pas pak javësh.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, fotoja e Tyson me fanellën bardhezi ngjalli shumë reagime dhe komente nga fansat. Dikush shkroi me shaka: “Po tani, kush do ta markojë Mike gjatë stërvitjes?”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb