Akademia e Arbitrimit ka përmbyllur me sukses edicionit e tretë. 45 arbitra djem e vajza nga qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë përfunduar kursin, duke u pajisur me certifikatën e arbitrimit, që tashmë u jep mundësinë të bëhen pjesë e fushës së gjelbërt dhe të vendosin drejtësinë në fushën e lojës.

Ky kurs zgjati rreth një vit dhe u zhvillua nën drejtimin e Sektorit të Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të marrin leksione nga arbitrat më me emër në vendin tonë, por edhe nga arbitrat aktivë që gjykojnë sot ndeshje në kampionatin “Abissnet Superiore”. Gjithashtu gjatë kursit janë zhvilluar edhe seanca praktike, për të vënë në zbatim mësimet e marra gjatë gjithë vitit.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola dhe Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci.

Sekretari i Përgjithshëm, Shulku, në përshëndetjen e tij vlerësoi arbitrat e rinj që vendosën të bëhen pjesë e këtij profesioni të bukur, ndërsa i inkurajoi që të punojnë fort dhe me pasion. Së shpejti Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit do të nisë sezonin e katërt për Akademinë e Arbitrimit dhe të gjithë të interesuarit mund të nisin aplikimet e tyre në [email protected].

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb