Nga: XHEVAT MUSTAFA*
Tashmë që njihen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për pushtetin vendor të 21 qershorit 2015, humbja e re e PD-së dhe e koalicionit APPD nuk mund as të mbulohet dhe as të kundërshtohet si krejtësisht e papritur, e padrejtë dhe e pameritur. Natyrisht, humbësve u njihet e drejta juridike e formale, që të ankimohen dhe justifikohen, në Tiranë apo Bruksel, për akte të hapura ose të fshehura, hollë apo trashë, që ata i interpretojnë si shprehje të mungesës së pastërtisë, ndershmërisë, korrektesës ligjore dhe të nëpërkëmbjes së standardeve të kërkuara nga OSBE-ODIHR, BE-ja, Uashingtoni… Por, ushtria e votuesve të tyre ka plotësisht të drejtë edhe t’u kërkojë llogari Lulzim Bashës, Sali Berishës, Arben Ristanit, Edi Palokës, Edmond Spahos, Oerd Bylykbashit, Eduard Halimit, Eno Bozdos: Ku ishit ju Adamë, kur u votua dhe u numëruan votat? Përse nuk qetë në gjendje t’i parandalonit dhe ndalonit veprimet e pista dhe antiligjore të fituesve dhe t’i mbronit të gjitha votat, ashtu si premtuat? Mos vallë, disa nga drejtuesit qendrorë dhe lokalë të PD-së, duke mos i dashur kandidatët në garë e për qejfmbetje për shmangien e tyre e të njerëzve të tyre, i sabotuan me mbështetje sa për sy e faqe apo edhe me pazare të fshehta me fituesit?
Nëse do të bëhej një analizë e thellë, kurajoze, e ndershme, transparente, konstruktive, ka shumë të ngjarë të dilte se humbja e thellë e 21 qershorit, krahas meritës dhe zgjuarsisë së PS-LSI-së, edhe për të falsifikuar lista e blerë vota, erdhi edhe për “meritë” të vetë PD-së. Shprehur edhe ndryshe apo shqip fare: Rezultati i 21 qershorit 2015 është rrjedhojë e inercisë së humbjes së merituar të 23 qershorit 2015; e mbetjes së tejzgjatur të PD-së mes tërheqjeve të “poleve” Berisha dhe Basha; e mbajtjes në poste drejtuese në nivelin qendror e lokal e plot figurave të djegura me kohë për korrupsion, klanizëm, paaftësi, mungesë eficence apo edhe për lojë të dyfishtë; e gabimeve, eksperimenteve pa shans pozitiviteti dhe e vonesave në proceset e ringritjes, ristrukturimit apo rikonsolidimit…
Në emër të ripërtëritjes e të shtimit të numrit të anëtarësisë, PD u bë si han me shumë porta. Kështu, iu mundësua të futeshin në radhët e saj e në hallka me pushtete dhe përfitime të mëdha edhe plot gjasmedemokratë apo “demokratë për 1-2 mandate”. Këta, nga ana e tyre, tërhoqën dhe futën pa pengesa e kontrolle vëllezër, motra, kushërinj, kunetër, baxhanakë, ortakë…, jo pak prej të cilëve me mangësi në formimin e përgjithshëm e me “njolla” të hershme apo të freskëta nëpër dosje. Ndërsa zgjerohej hapësira për prurjet e reja, ndodhte paralelisht edhe ngushtimi i hapësirës për demokratët e parë apo “të moçëm”, duke u lënë pas listave e pas dere dhe duke i “harruar”, qoftë edhe thjesht për mirënjohje, për kontributin e dhënë në ditë të vështira. “Sëmundjen e lindur” të PD-së, me simptoma kryesore mungesën e kujtesës dhe të mirënjohjes, e sheh apo e ndien edhe në listat e kandidatëve për kryebashkiakë apo këshilltarë për zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Ato, përgjithësisht, “mbajnë erë” familjariteti, klanizmi, klientelizmi… Të gjithë bashkë, falë edhe euforisë, tolerancës apo symbylljes nga maja e piramidës, e bënë PD-në të duket gjithnjë e më pak e ndryshme nga PS-ja, sidomos në mentalitetin, qëndrimet, veprimet dhe punët e shumicës së qeveritarëve dhe zyrtarëve qendrorë dhe lokalë, thuajse binjakë për nga ambiciet e paskrupullta e të pangopshme për pasurim vetjak, familjar, ortakëror…. Hapësirën për ndryshim mes PD-PS-LSI nuk e mbushin dot të veçantat, dallimet apo nuancat në emërtime, flamurë, në frazeologjinë politike dhe publicitare, në llojin e taksimit, nivelin e çmimit të energjisë elektrike dhe në shkallën e tolerancës ndaj “ushtrisë” së qytetarëve, të cilët realisht nuk munden apo nuk duan t’i paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike, apo ndaj Lazaratit… Nuk e mbulojnë dot as konfliktualiteti dhe agresiviteti, sidomos gjatë seancave të ditës së enjte, fjalimet, diskutimet dhe shkrimet me tone dhe sulme të ashpra nëpër gazeta e rrjetet sociale, akuzat dhe denoncimet publike… Ndryshe nga sa mund të mendojnë e llogarisin autorët apo aktorët e tyre, sherret publike e mediatike pozitë-opozitë, jo rrallëherë, ngjajnë më shumë të stisur, estradeskë dhe imazh e punëprishës për vendin sesa të sinqertë e të dobishëm. Si rrjedhojë e këtij imazhi apo përfytyrimi të pak-ndryshueshëm midis PD-së dhe PS-LSI-së, përforcuar edhe nga aleanca qeverisëse PD-LSI dhe nga kalimi në grupin parlamentar dhe në hallka të qeverisjes lokale të PD-së i disa figurave të njohura të së majtës, gjatë viteve 2009-2013, nuk mund të mos vinte edhe rritja e skepticizmit, pesimizmit, mosbesimit apo bojkotimit masiv të proceseve zgjedhore, shprehur edhe në rënien nën 50% të totalit të votuesve. Vetëkuptohet se, ajo që penalizohet më shumë nga ky erozion në besim e mbështetje është PD-ja. Kjo u shpreh edhe në zgjedhjet e 21 qershorit, kur nga plot qytetarë thuhej se, “përse të shkojmë në zgjedhje kur dy partitë, politikanët, deputetët, qeveritarët dhe zyrtarët e tyre, janë thuajse njësoj dhe mendojnë e punojnë, të ndarë apo në ortakllëk, kryesisht për llogaritë dhe interesat e tyre?!”
Mund të vazhdohej me një varg të gjatë arsyesh apo shkaqesh, megjithatë të gjitha bashkohen te dy figura: Sali Berisha dhe Lulzim Basha. I pari, ka përgjegjësinë “historike” se gjatë periudhës 2005-2013, sidomos në mandatin e dytë qeverisës, i mbushi strukturat drejtuese të PD-së dhe qeveritë me njerëz që u shërbenin më së shumti vetvetes, kushërinjve, kunetërve, baxhanakëve, ortakëve…, që, kush më shumë e kush më pak, kush më fshehurazi e kush më zbuluar, mbartnin dhe nuk mund të fshihnin dot njolla të vjetra e të freskëta korrupsioni… Përgjithësisht, këta i serviloseshin pështirësisht Berishës para syve, ndërsa pas kurrizit shfrynin sharje e mllef të vjetër kundër tij, nga brenda vetvetes apo të investuar. Në fund të fundit, Berisha ka “meritën historike” që e çoi PD-në në gjendjen e saj të tanishme, më mjerane dhe perspektivë-mjegullt, qysh nga themelimi dhe në humbjet “tsunamike” të 23 qershorit 2013 dhe të 21 qershorit 2015. Natyrshëm lind pyetja: ardhja në këto ditë dhe e këtyre humbjeve radhazi, është thjesht shprehje e një gabimi të tij të radhës e njerëzor (të bërë një listë e gjatë në këta rreth 25 vjet), apo mbart edhe mundësinë e një llogarie, pazari apo skenari, shprehur edhe artimetikisht: “8 vjet ne e 8 vjet ju”? Ose në formën: “Nuk ju preka një qime floku sa isha në pushtet, mos më prekni edhe ju tani!”. Por, duhet kujtuar se ka pasur me kohë dhe vazhdimisht zëra që kanë guxuar ta paralajmërojnë se po gabon e t’i thonë: “Doktor, ku po e çon PD-në me këto përzgjedhje, që përgjithësisht nuk i do dhe mbështet baza, me këta ‘demokratë’ vetëm për poste e përfitime, për dogana, miliona, vila e pallate?”
Është fakt se Berisha kishte edhe ekipe me bashkëpunëtorë në parti e në qeveri, me të drejtë firme e vule, me paga të larta e mundësi të shumta për pasurim të përshpejtuar, por pa guximin (pse jo edhe dëshirën) për ta korrigjuar e kundërshtuar kur ishte fjala për ndonjë gabim apo faj që nuk duhej të kalonte. Edhe pse në jo pak raste, Berisha ka treguar se nuk para i dëgjon këshilltarët dhe ata që guxojnë t’i bëjnë vërejtje e kritika, përsëri, do të ishte në të mirë të PD-së e të vetë Berishës, nëse ata do të këmbëngulnin dhe nuk do tërhiqeshin menjëherë, me një vështrim të tij të ashpër. Nënkuptohet se, duke u ndier përgjithësisht fitimtarë nga taktika e heshtjes, ata kanë parapëlqyer të mos e provokojnë dhe provojnë as vështrimin e rreptë të kryetarit.
Natyrisht, faj apo përgjegjësi jo të paktë e jo lehtësisht të kapërdijshme, për humbjet e PD-së në shumicën e bashkive dhe të këshillave të tyre, ka edhe kryetari aktual, Lulzim Basha. Ai nuk mund të fshihet pas emrit dhe kultit të Berishës dhe plotpushtetshmërisë së berishizmit në majën dhe bazën e PD-së. Nuk mund të justifikohet dhe mbrohet as me thënien shumë të keqpërdorur në jo pak raste: “Të gjitha fajet i ka Berisha”. Më 21 qershor 2015, Basha humbi jo vetëm nga e majta, një betejë zgjedhore dhe kryetarllëkun në Bashkinë e Tiranës, por, figurativisht, edhe nga Berisha, duke mos përmbushur shpresën dhe dëshirën e plot demokratëve si dhe duke mos përfituar nga shansi, të dilte nga rrezja e hijes dhe ndikimit të “kryetarit historik”.
Duke e përmbyllur, nuk më mbetet tjetër veç thirrjes së sinqertë: Mëshirë për PD-në! Ndihmoje, o Zot, të dalë sa më parë nga fundi i humnerës, ku e kanë hedhur apo është vetëgremisur, që të bëhet, ashtu siç e kanë dashur demokratët e parë, e pastër, me zemër e sakrifica dhe, siç e dëshirojnë aq shumë demokratët e vërtetë të sotëm!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: