Nga: MENTOR KIKIA*
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikun e njerëzve në fakt tejkaloi “fushën e veprimit”, duke mos folur vetëm mbi përmasat e fenomenit kriminal, ashtu siç ndodh rëndom, por edhe për angazhimet publike të personave që kanë punuar më parë si pronarë rrjetesh trafiku apo shfrytëzimi prostitucioni. Dhe këtu raporti theksonte praninë e një trafikanti prostitutash në Parlament. Në fakt ka zëra që thonë se nuk është vetëm një trafikant njerëzish(prostitutash), por ka edhe trafikantë droge, njerëz që janë përfshirë në pastrim parash, të korruptuar, etj, etj. Por këta do të përmenden kur të dalë raporti për drogën, për korrupsionin, krimin e organizuar etj. Raporti i fundit i DASH ishte vetëm për zërin “trafiku i njerëzve” dhe mesa duket në këtë zë trafikantët përfaqësohen vetëm nga një deputet.
Qytetarët e shumtë, pra votuesit, shpreheshin të mllefosur, në rrjetet sociale, me politikën e inkriminuar dhe padyshim që shumë prej tyre e shfrynin inatin edhe mbi Ambasadën Amerikane që flet për një deputet dhe nuk thotë emrin. Njësoj si para zgjedhjeve vendore, kur foli për disa kandidatë për kryetarë bashkie të lidhur me krimin, por nuk ua tha emrat dhe ata u zgjodhën kryetarë. Ani, njerëzit kanë të drejtë në atë që kërkojnë të dinë. Por ata që duhet ta dinë e dinë.
Dekriminalizimi i politikës ka qenë një argument i fortë, për të mos thënë më i rëndësishmi, i gjithë komunikimit mes politikës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar. Para zgjedhjeve vendore ai u bë refreni i deklaratave të përditshme ku ambasadorët(kryesisht të SHBA e BE) nuk linin qokë zyrtare pa shfrytëzuar për të thënë: Largoni kandidatët e inkriminuar. Për ta vazhduar me të njëjtin intensitet, Ambasada e SHBA lëshoi dje një deklaratë aspak “sportive” siç duket ambasadori Lu. Në vijim të raportit të DASH, ambasada deklaronte:
“Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të Parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’u kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”,- kështu mbyllej deklarata, pasi theksohej më parë se Shqipëria ka bërë përparime dhe ne do të mbetemi krah saj për ta ndihmuar.
Këto katër radhë përmbledhin në fakt të gjithë realitetin tonë të trishtë deri në pesimizëm. Epitetin “e turpshme”, nëse do t’i hiqnim cipën diplomatike, mund ta zëvendësonim me çdo epitet të mundshëm. Është e frikshme, është e paprecedent, është e dënueshme, është e llahtarshme, është një maskaradë, është e tmerrshme është …. gjithçka që një burrë që është dënuar se ka mashtruar, ka blerë, shfrytëzuar dhe shitur vajza për qëllime prostitucioni, tashmë është ligjvënës.
Është një temë gati e ezauruar tashmë të flasësh për cilësinë e Parlamentit, ku kanë mbetur vetëm një grusht intelektualësh dhe njerëzish që dinë të shkruajnë e të flasin, ndërsa të tjerët paguajnë me honorare gazetarë tu shkruajnë nga dy gisht letër kur kanë ndërmend të diskutojnë. Njerëzit e mençur gradualisht u zëvendësuan nga njerëzit e pasur, që për hir të rrethanave nuk ishin të mençur dhe mençuria për dreq nuk blihet dot. Shumë syresh prej tyre nuk ishin thjeshtë tregtarë apo biznesmenë të ndershëm, por kriminelë që u arratisën me gomone dhe u kthyen me çarter.
Shpëtim Idrizi, në një prej pauzave të emisionit “Opinion”, e shpjegoi sinqerisht dilemën që kishte pasur për të kandiduar për deputet një profesor universiteti apo një tregtar të fortë. Kush siguron vota? Tregtari, padyshim, sepse ai mbledh grupin e të fortëve përreth, ai shpërndan para apo ushqime, ai qeras popullin nëpër lokale, ai u paguan borxhet debitorëve nëpër dyqanet ushqimore, dhe kështu bëhet deputet.
Inkriminimi i politikës nuk është thjesht futja e disa personave që kanë qenë të dënuar apo janë në proces hetimi. Është shumë më shumë se kaq. Inkriminimi është vetë sistemi politik tashmë, pasi politika vetë është ngritur dhe jeton me paratë e krimit. Deputeti(tët) apo zyrtarët e inkriminuar nuk janë thjesht gjethja e kalbur e bimës që ia heq dhe shpëton. Ata janë plehu, janë uji, janë oksigjeni që e ushqejnë bimën dhe pa to ajo bimë do të thahej.
Partitë u hapën katër kanate për këdo që dëshironte të ishte pjesë e tyre dhe të parët që u promovuan ishin ata që kishin paranë dhe kërkonin që të vishnin kostumin e politikanit për t’i shtuar ato më shumë në kurriz të shtetit. U sulën ata që ishin të inkriminuar dhe duhej të vishnin kostumin e politikanit për t’i shpëtuar ndjekjes së ligjit. Kjo politikë prodhon edhe ligjet, prodhon edhe drejtësinë, edhe mekanizma të tjerë të shtetit të cilët për pasojë janë po kaq të korruptuar e të inkriminuar. Ndërsa çirremi duke kërkuar drejtësi, ne nuk mund ta shikojmë atë si një fatkeqësi natyrore që na ra nga qielli, apo produkt të tokës së nëmur, por si produktin pikërisht të kësaj politike. Dhe kjo politikë nuk mund të prodhojë kurrë as gjyqësor, as prokurori, as polici, e asgjë tjetër të pastër e të drejtë, derisa është vetë më keq e përlyer.
Padyshim që shumëkush mund të thotë që këto i dimë e madje dimë edhe më shumë se kaq. Por çështja është si të shpojmë tunelin për të parë dritën. Unë nuk besoj se ndonjë grupim politik që ushqehet në magjen e parave të biznesit klientelist dhe miellit të mykur të krimit do të arrijë ta bëjë këtë. Këtu duhet shembur sistemi, duhet shkulur pema dhe këtë nuk e bëjnë ata që janë në pemë, pavarësisht në cilën degë, këtë duhet ta bëjmë ne. Nëse ne do të vazhdojmë ta shesim votën apo të mbledhim votat e fisit për një vend pune roje nate në spital, atëherë as deklaratat e Ambasadës Amerikane nuk do të jenë më lajm. Madje, ndërsa po lexoja, në radhët e kësaj deklarate, shprehjen “është e turpshme”, mu kujtua një rrëfenjë sportive për tifozërinë, kur luante Vlora me Korçën. Tifozët vlonjatë i shanin korçarët me fjalë nga më të ndyrat për gratë, nënat, motrat…, ndërsa korçarët bërtisnin: T’ju vijë rëndë, t’ju vijë rëndë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: