Është prezantuar sot në bashkinë e Beratit lançimi i projektit të Riciklimit të Mbetjeve.
Ky projekt, nëpërmjet të cilit kryhen ndarjet në burim të mbetjeve shtëpiake, është financuar nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Zhvillim, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit e Mjedisit dhe bashkinë Berat.

Takimin e hapi kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo,i cili foli mbi vizionin e bashkisë për Menaxhimin e Integruar të mbetjeve.

“Ne nuk mund ti kishim arritur këto risi pa ndihmën e partnerëve tanë. Një qytet muzeal si Berati nuk mund të përceptohet drejt zhvillimit pa patur disa shërbime bazike, ku menazhimi i mbetjeve është një prej tyre. Berati është kthyer tashmë në një model, që dita ditës përmirësohet.

Kemi ndërtuar vend depozitimi të mbetjeve, sipas standarteve europiane dhe ne sot garantojmë një nivel krejt tjetër, ku e rëndësishme është ndarja e mbetjeve në burim.

Nëse ne jemi të suksesshëm në ndarjen e mbetjeve dhe në riciklimim e tyre, në këtë mënyrë mund të ulim edhe kostot. Ne sot na është dorëzuar në bashki edhe një nga mjetet e para për riciklimin e mbetjeve”, ka thënë Ervin Demo.

Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Niklas Strőm, ka folur rreth rëndësisë dhe benefitet e implementimit të këtij projekti.

“Jam i lumtur që jam sot në Berat, në lançimin e një projekti kaq të rëndësishëm për këtë qytet. Ne kemi financuar mjaft projekte të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë por ky projekt ka rëndësinë e tij për qytetin e Beratit, që po zhvillohet nga viti në vit drejt turizmit. Riciklimi i mbetjeve dhe ndarja e tyre do të sjellë një zhvillim më të mëtejshëm në këtë qytet, jo vetëm në lidhje me zhvillimin e tij por edhe me pastërtinë”,ka thënë Strőm.

Më pas zv/Ministrja e Mjedisit, Almira Xhembula,u ndal në politikat kombëtare dhe përqasjen strategjike për menazhimin e mbetjeve. “Kam kënaqësinë të jem sot këtu për projektin e ndarjes së mbetjeve shtëpiake. Më vjen mirë që të gjitha proceset e nisura kalojnë në një tjetër nivel, që krijon një metodologji ndryshe në nivel kombëtar. Falenderoj Ambasadën Suedeze për financimin e këtij projekti kaq ambicioz.

Menazhimi i integruar i mbetjeve është një projekt sfidues.

Ne jemi në një nivel ku turizmit e kemi të lartë dhe elitar, ku ky projekt është një vlerë e shtuar. Duke rritur mundësitë për riciklim, duke rritur modelet e ndarjes në burim, ka mundësi përfitimi ekonomik, ku shërbimet përmirësohen”-,ka thënë Xhembula.

Pasi përfaqësuesit e KFË dhe SECO prezantuan për pjesëmarrësit Projektin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve në Berat, përpara bashkisë së qytetit u prezantua ekspozita përmbyllëse me pajisjet dhe kontenierët e reja të riciklimit, të dhuruara nga qeveria Suedeze.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: