Deputeti i Partisë Socialiste Lavdërim Krashi ka folur në rubrikën “Opinion” në News24 për ndryshimet në qeveri.

Krashi tha se i sheh këto ndryshime si nevojë e zakonshme dhe të përditshme. Sipas tij, prioritetet e qeverisë ndryshojmë dhe lind nevoja për rifreskim. Sa i përket emrave të rinj në qeverinë Rama 3, ai tha se janë përgjegjësi e kryeministrit.

“Nevoja për ndryshim është e zakonshme dhe e përditshme. Kjo është dhe arsyeja pse kanë ndodhur ndryshimet në qeveri. Qeveria ka gjithmonë nevojë për rifreskim. Nuk do të thotë se dikush ka punuar keq. Prioritetet e qeverisë ndryshojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe lind nevoja për rifreskim.
PS ka një drejtues, një lider partie. Është përgjegjësia e tij për të zgjedhur kabinetin qeveritar. Në mënyrë direkte është përgjegjësia e tij. Patjetër që ka dhe një bashkëpunim me grupin parlamentar, kryesinë e PS apo forume të tjera të PS, ku vendosen në radhë të parë prioritetet”, tha Krashi.

Ai theksoi më tej se e ka kërkuar apo sugjeruar monitorimin e pushtetit vendor dhe riformatimi i qeverisë ka risinë e një ministri shteti për pushtetin lokal.

“Ka një risi në ndryshimet në qeveri, kemi një ministër shteti për pushtetin lokal. Do të thotë që pas shumë vitesh u pa e nevojshme sepse realisht ka pasur një boshllëk sepse qeverisja vendore është tepër e rëndësishme për qytetarin. Do të jetë një urë lidhëse, edhe për të drejtuar dhe monitoruar punët e bashkive.
Secili anëtar i PS-së, secili deputet, secili anëtar i Kryesisë ka detyrën për të sugjeruar për strategjinë drejtuese të PS-së, por patjetër dhe strukturat e PS-së. Unë kam shprehur ide shumë të qarta për prioritetet dhe është dëgjuar, siç ishte dhe në rastin e ministrit për pushtetin vendor.
Kur vjen puna te zgjedhja e emrave, patjetër është detyra dhe përgjegjësia e kryeministrit. Nëse ai kërkon mendim nga dikush, ka krejt të drejtën e tij.
E rëndësishme është që qeveria të jetë një ekip që përmbush detyrimet për të realizuar programin e premtuar në zgjedhje”, deklaroi deputeti i PS.

I pyetur nëse këto ndryshime vijnë në një kohë kur SPAK ka goditur disa nga përfaqësuesit e maxhorancës apo i ka marrë nën hetim, Krashi tha se nuk janë të lidhura dhe i konsideroi zhvillime pozitive veprimet e drejtësisë së re.

“Nuk lidhen me goditjet e SPAK. Lidhen me punët e detyrat e reja që ka qeveria. Ndodhin në një kohë kur ka zhvillime, i konsideroj pozitive për Shqipërinë. Kulturës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi”, tha ai.

Sa i përket deklaratës së kryeministrit Edi Rama dhe paralajmërimin e tij për ata që vjedhin, Krashi u shpreh: “Për këdo është haram, duke nisur nga Presidenti, deri te qytetari i thjeshtë. Është haram të fusësh dorën në xhepin e qytetarëve shqiptarë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb