Është një ditë e shënuar për kulturën shqiptare. Akademik Ali Aliu sot shënon plot 90 vjeç. Ali Aliu është nga zona toske, ka lindur në trevat shqiptare nga ana (tjetër) lindore e liqenit të Prespës. Nëna e tij është nga Erseka.

Ai është një “udhëtar” i palodhur që me hapin e tij i ka bërë bashkë gjithë trevat shqiptare tej e përtej kufijve tanë. E gjen në gjithë veprimtaritë kulturore, kudo ku flitet për libra, për shkrimtarë. E kam takuar në Shkup, e më ka pritur në banesën e tij, po ashtu dhe në Prishtinë. Është një burrë aq miqësor sa ta bën borxh me sjelljen e tij të butë dhe pa asnjë nga ato manitë shqiptare për t’u dukur, për pak protagonizëm, siç thonë sot.

Aliu është miku i mrekullueshëm që vetëm me sytë e tij të zgjuar, të qeshur, fluturakë mund të shprehë shumë. Fytyra e tij e paqtë, gjuha e trupit e çtendosur, buzëqeshja, zëri karakteristik i shtruar, e qeshura spontane krejt e shlirët, sytë xixëllues, ta bëjnë të afërt e të kërkuar shoqërinë e këtij burri jo aq të zakonshëm.
Ai është i tillë i përkushtuar aq pozitivisht, palodhshëm në vëmendjen për të të dëgjuar sa herë që ta takosh.
Por gjithmonë është dhe prof Ali Aliu, njeriu që me laps në dorë ka lexuar dhe ka ndjekur gjithë librat e një sezoni, botimet në Shkup, në Tetovë, në Ulqin, në Tiranë, në Fier, në Prishtinë…Jo vetëm i ka lexuar po dhe i ka peshuar në atë balancën prej argjendi plot dritë të njeriut që e ka jo vetëm për zeje, pasion, gjykimin mbi librat, mbi të gjitha e ka një mision të madh. Kam menduar se nën atë qetësinë aq harmonike, nën atë buzëqeshjen e tij të pafaj, pulson një ankth prej gjahtari në ndjekje të vlerave letrare kudo që të ndodhen në katër a pesë Shqipëritë tona siç thoshte i ndjeri Podrimja. Ky njeri kaq i urtë, kaq i sjellë i pagabueshëm në butësinë, në tolerancën, durimin e tij me të gjithë që i afrohen, kush e di me ç’ pasion e padurim i shfleton, i lexon, u kthehet prapë… librave në prozë e në poezi. Ka një gjakim të ngulitur fort, të lindur, të ujdisur me gjakun e nervat e tij më të holla ky përkushtim i tij dhjetra vjeçar në ndjekje të vlerave letrare gjithëshqiptare.
Unë personalisht i jam mirënjohës për leximet mbi poezinë time. Por e quaj privilegj që kam qenë nën miqësinë, shoqërinë e tij e një bisede, e një kafeje, e një takmi me Prof Ali Aliun.

  • foto galeri

I uroj Aliut shëndet dhe jetë. Të jetë i lumtur me ata që i do më shumë, me familjen, gjakun e tij. Të jetë kështu i gëzuar, plot vitalitet me gjithë bashkëpunëtorët e miqtë e tij në të katër anët e trojeve shqiptare.
Edhe 100 Profesor Ali Aliu!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: