Raporti i KE, reagon Bardhi: Skaneri i Komisionit Europian e nxjerr Shqipërinë e drejtuar nga Rama si vendin me sëmundje të rënda të demokracisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi thekson se vlerësimi i KE për situatën alarmante të korrupsionit dhe krimit të organizuar, e nxjerr Shqipërinë poshtë mesatares në të dyja.

“Qeveria e Edi Ramës nuk ka në axhendë luftën serioze kundër krimit dhe korrupsionit. Përmes tyre, Edi Rama ble zgjedhjet dhe zgjat pushtetin e tij, që po rrënon çdo ditë shqiptarët”, thekson ai.

Postimi i plotë:

Shqipëria nuk plotëson asnjë standard europian politik, ekonomik dhe social. Skaneri i Komisionit Europian e nxjerr Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama si  vendin me sëmundje të rënda të demokracisë.

Raporti konfirmon shqetësimet e drejta të opozitës për mungesën e lirisë në Parlament, për kufizimin e së drejtës kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, për përjashtimet arbitrare të deputetëve, për mungesën e përparimit në reformën zgjedhore.

Komisioni Europian vendos gishtin në plagë, kur vlerëson situatën alarmante të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Niveli i Shqipërisë renditet nga Komisioni Europian poshtë mesatares në të dyja këto fusha jetike, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka në axhendë luftën serioze kundër krimit dhe korrupsionit. Përmes tyre, Edi Rama ble zgjedhjet dhe zgjat pushtetin e tij, që po rrënon çdo ditë shqiptarët.

Së fundi, e shoh të drejtë shqetësimin e Komisionit Europian për gjendjen e opozitës, prandaj është detyrim për ne që të shndërrohemi në një alternativë të besueshme qeverisëse, duke filluar më së pari në bërjen funksionale të opozitës. Sa më shpejt!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb