Qindra aktivistë marshuan te dielën ne solidaritet me viktimat e dhunes seksuale në Shqipëri. Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë në Rrëshen bëri bashkë qytetarët në Tiranë për të kërkuar drejtësi nga institucionet shtetërore ndaj autorëve të dhunës dhe abuzimit, viktima e fundit e të cileve ishte një 15-vjeçare e përdhunuar nga 5 persona në Mirdite. Sociologia Entela Binjaku thotë se reagimi përmes protestës është mesazh për dhunuesit seksuale.

“Ata kanë parë në protestën e organizuar të dielën sesi një shoqëri e dënon, e ndëshkon dhe pret madje të shikojë masat ndëshkuese. Mesazhin e saj ajo e dha e vuri krimin seksual përpara syve të të gjithëve”, tha Binjaku në një intervistë për News24.

Protestuesit e së dielës zgjodhen që të “flasin” përmes pankartave me slogane të rralla, madje edhe kontraverse. Protesta e së dielës shkaktoi reagime të ndryshme në opinion, ku më së shumti kritikohej forma e zgjedhur për të protestuar.

“Respektoj vendimin e gjithsecilit për të shkruar se cfarë ka menduar. Fakti që njerëzve u bëri shumë përshtypje se çfarë është shkruar në pankarta tregoi se protesta deri diku kaloi në plan të dytë dhe po merr në plan të parë forma dhe tekstet që e përfaqësuan atë”, u shpreh sociologia Binjaku.

Në optikën e sociologes Entela Binjaku kishte edhe individë që me snobizëm kanë dashur të tërheqin vëmendje vetëm për famë të çastit.

“Ndër ta ka njerëz me ndjeshmëri të larta ka dhe të tjerë, që e ndiejnë veten në modë dhe pak snob dhe ka të tjerë që do tërheqin vëmendje, janë sfida edhe këto ka breza të lidhur me mjediset virtuale dhe e dinë që për të tërhequr vëmendje duhet të jesh i guximshëm dhe të thyesh edhe tabu. Protesta e djeshme e dha mesazhin pavarësisht se ne e interpretojmë”, tha Binjaku.

Mjaft prindër që kishin marrë me vete fëmijet e tyre u përballen në mes te protestes me nje vajze nudo, që përdorte trupin e saj si mesazh kundër dhunës seksuale, shtypjes dhe diskriminimit. Për sociologen kjo nuk ishte mënyra e duhur për të dhënë mesazhin e duhur.

“Ajo tërhoqi vëmendjen me lakuriqësinë e saj, mendoj se nuk është kjo forma që duhet të denoncosh një krim, duke ekspozuar nuditetin tënd, shumë njerëz u tërhoqen nga nuditeti, jo mesazhi i saj, në këtë masë të madhe ka edhe keqbërës, janë ndier të provokuar, por edhe ka të tjerë që ishin indiferentë, thanë kjo ndodh kudo dhe s’ka pse të bëjë kaq përshtypje”, komentoi Binjaku.

Në protestën e së dielës morën pjesë grupime të ndryshme të shoqërisë civile, të organizuar në rrjetet sociale. Ndërkohë për përdhunimin e vajzës 15-vjecare në Mirditë janë arrestuar 5 persona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb