Nga: DRITAN HILA*
Asnjë arsye evidente nuk kishte Edi Rama të mos bënte zgjedhje për rikonfi rmimin e tij në krye të PS. Nëse i besojmë thënieve të tij, koalicioni që udhëheq u rikonfirmua, ekonomia ritet dhe mirëqenia prosperon. Çdo udhëheqës perëndimor, në këto kushte jo vetëm që nuk i trembet zgjedhjeve partiake, por do të qaste edhe ato të përgjithshme. Aq më shumë kur opozita është në gjendje të vajtuar. Dhe me një Ben Blush që bëka prishësin e festave, janë kushtet ideale për ta përjashtuar nga partia. Por…por, një e gërvishtur e cipës së haresë, del se gjërat nuk janë ashtu siç duken. Koalicioni fitues i 2013-ës ka rënë me një të katërtën e votave. As afrimi i Bamir Topit e Nard Ndokës, nuk e argjinoi dot rrjedhjen e votave. Fitorja në shumicën e bashkive nuk erdhi për shkak të shtimit të votave, por të hartës së re territoriale. Llogaria vjen e ngushtohet kur mendon se në shportën e votave të majta, nuk dihet sa ka Ilir Meta dhe sa Edi Rama. Objektivi për shtimin e anëtarësisë së PS në 150 mijë vetë, nuk tregon forcë, por dyshim në firasje, e kur kujton se PPSH në kushtet e monopartitizmit dhe popullsi më të madhe se sot nuk e kaloi nivelin e 120 mijë anëtarëve, atëherë objektivi i vënë ngjan me këngën në mes të pyllit të kësulëkuqes që donte t’i nxirrte frikën vetes. E megjithatë nga pikëpamja e masës së pushteteve që kontrollon Edi Rama është njeriu më i fuqishëm në Shqipëri. Pjesa që komandon në qeveri i ka mësuar tashmë edhe gjuhën e trupit dhe nuk ka nevojë të flasë. Kryebashkiakët ose janë nëpunës të thjeshtë të tij si ai i Vlorës, Sarandës dhe Korçës, ose spahinj të deleguar në timaret e Durrësit dhe Elbasanit. Ilir Meta, me qasjen e Idrizit në koalicion, nuk i ka numrat teorikë për ta rrëzuar. Prokuroria i rri gatitu mjaft mos t’i kërkojë kokën e Berishës. I vetmi që i prish ambientin idilik është Ben Blushi me kërkesën e tij për t’u votuar kryetari i PS pasi i ka mbaruar mandati. Po pse nuk e rivoton veten Rama dhe pas kësaj të përjashtojë edhe Blushin nga partia? Për shumë arsye karakteriale dhe objektive. Së pari Edi Rama nuk është njeri i revolucioneve; preferon krahëmarrjen e kundërshtarit dhe aleancat fluide se përplasjen frontale; pëlqen krahun e fitores pavarësisht shtegut nga vjen; zgjedh rehatin e pushtetit se ajrin e përzhitur të barrikadave; nuk e ka natyrë të hedhë karrierën në ruletën e fatit për një goditje: humbje a fitore; i pëlqente të jetë biri i Kiplingut në poezinë “Nëse”, por e di që nuk ka stofën. Por edhe më optimisti nuk e mendon që në një përplasje Rama-Blushi, Rama të humbasë. Të paktën jo tani, për shkak të qenies parti në pushtet të cilin askush nuk do ta rrezikojë, transfuzionit të gjakut që i është bërë kupolës, mpirjen e gardës së vjetër e cila gënjehet me yjet prej teneqeje që ju vendos në supe Rama. Por gjithashtu, ka një pjesë në trupën e PS të cilëve Rama nuk ju ngjiti kurrë, shumë janë jashtë tavolinës së festës, disave nuk ua del t’i dehë me ujë, dhe të tjerë besojnë ende në idealin e majtë dhe shpërndarjen e drejtë të pasurisë kombëtare. Të gjithë këta në një votim për kryetar partie të PS, janë një segment që nuk e gjen veten tek Edi Rama. Një kandidaturë konkurrente në garë, do të sillte që votat e pakënaqësisë të koaguloheshin dhe kishin një adresë. Rezultat, i cili sado i vogël në shifra, do të përfaqësonte një fraksion, i cili do të zyrtarizohej dhe nuk mund të përjashtohej. Dhe nëse do përjashtohej, do të sillte një rrezik real të humbjes së zgjedhjeve të 2017-ës. Plaga e LSI ende kullon gjak në PS. Që mos të ndodhë kjo, duhet të ndryshojë parimi i zgjedhjes së kryetarit me “një anëtar, një votë”, dhe të rizgjidhet me anë të kongresit që ai e kontrollon më lehtë, ose të fitojë kohë që të përfundojë filtrimi i gjithë trupës drejtuese edhe në qarqe, për mos pasur surpriza. Ndaj Edi Rama nuk bën zgjedhje, dhe e lë Blushin të flasë kundër tij, deri në momentin kur t’i vijë koha ta eliminojë. Ose ta neutralizojë. Cili do të jetë fati i Blushit? Ka edhe një opsion: Ai që Rama të mbytet nën peshën e pushteteve që ka marrë, pa pasur kohë të merret me të tjerët. Pasi sado e çuditshme të duket e thënë në këto momente, Edi Rama e ka kaluar zenithin e tij.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: