“Zyrtarisht janë drejtuesit e prokurorive që kanë shoferë dhe që u vihet në dispozicion një automjet. Apo dhe prokurorëve që merren në mbrojtje për shkak të proceseve gjyqësore”. Kështu deklaron gazetarja Klodiana Lala në një lidhje direkte për ‘News24’ nga vendi i ngjarjes ku ndodhi atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, konkretisht nga mbikalimi i Shkozetit.

Lala tha se nuk ka informacion zyrtar nëse prokurori ka qenë në mbrojtje policore, ndërsa shtoi se nuk përbën shkelje ligjore nëse shoferin e paguan nga të ardhurat personale apo familjare.

“Në rastin konkret s’mund të them me siguri (për çështjen e shoferit). Nuk ka informacion zyrtar nëse ai ka qenë në mbrojtje. Nëse ka mundësi financiare për shofer, kjo nuk është e ndaluar me ligj”, tha Lala. Kujtojmë se nga atentati që ndodhi pasditen e sotme në mbikalimin e Shkozetit u plagos përveç Ndojit dhe shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho, i njohur si Pëllumb Muharremi, Ky i fundit i cilësuar si ‘i forti’ i Sukthit. Andi Maloku ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plumbave që ka marrë në shtyllën kurrizore. Aktualisht ai po merr mjekim në spitalin e Traumës, ndërsa Ndoj dhe Muharremi janë jashtë rrezikut për jetën.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb