Revista gjermane “Bunte” do t’i paguajë familjes së Michael Schumacher 50 mijë euro dëmshpërblim, pasi shkeli të drejtën e privatësisë, duke publikuar një lajm të pavërtetë në lidhje me shëndetin e 7 herë kampionit të botës në Formula 1. Në dhjetor të vitit 2015, dy vite pas aksidentit të pësuar nga legjenda e këtij sporti në alpet franceze, kur “Bunte” publikoi artikullin ku theksonte se, Schumacher ishte në gjendje që të ecte dhe se kjo ishte më shumë se një mrekulli Krishtlindjeje.
Një lajm ky që u përgënjeshtrua në mënyrë kategorike nga avokatja e Schumacher, Sabine Kehm, që shkoi edhe më tej duke i cilësuar si të papërgjegjshëm pjesëtarët e stafit të kësaj reviste. Bashkëshortja e tij, Corinna ka ndërmarrë disa veprime ligjore në Gjermani ndaj medieve të ndryshme, për të ndaluar publikimin e fotove të ish-pilotit dhe pjesës tjetër të familjes.
Michael Schumacher pësoi aksident në dhjetor të vitit 2013, teksa ishte me pushime me familjen e tij, kur mori një goditje të fortë në kokë. Në vitin 2014, ai u transferua nga Franca në një spital në Zvicër, e pak muaj më vonë u dërgua në shtëpi për të vijuar fazën e rehabilitimit.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb