TIRANE- Për Lef Nosin nuk kam sajuar asgjë dhe kjo nuk më bën fare kreativ në raport me veten. Lef Nosi ka qenë një patriot për hir të së vërtetës, filantrop, njeri që ka pasur pasion kulturën, pullat, folklorin. Është i vetmi kolaboracionist në Evropë që ka një bust në mes të qytetit. Mund të ndodhi në Francë që një ka bashkëpunuar me pushtuesit, në muze, por jo në shesh publik. Shpresoj që qytetarët e Elbasanit të çohen dhe ta tërheqin zvarrë bustin e Lef Nosit. Ka qenë kolaboracionist. Është çështje dinjiteti”. Këto deklarata të politikanit Ben Blushi, të bëra në media nën petkun e shkrimtarit të librit “Kandidati”(Uet Press) kanë ngjallur reagime të forta. Kundër këtij mendimi janë shprehur më herët emra si Arben Llalla, Mesila Dode, Romeo Gurakuqi etj.

Për të gjetur kuptimin e “kolaboracionizmit” mjafton t’i referohesh Wikipedia-s, enciklopedisë online ku sqarohet se “kolaboracionizmi është bashkëpunimi me armikun kundër vendit tënd në kohë lufte, qoftë në mënyrë të pavullnetshme për shkak të nevojës apo edhe vullnetarisht, në mënyrë servile apo duke e mbështetur ideologjikisht”. Kuptimi i “bashkëpunimit tradhtar me armikun” apo njohur ndryshe si kolaboracionizmi, referuar po Wikipedia-s daton nga 1940, fillimisht në lidhje me Qeverinë Vichy të francezëve të cilët bashkëpunuan me nazistët gjermanë në periudhën ’40 – ‘44. Madje në linkun “https:// en.m.wikipedia.org/wiki/Collaborationism” lehtësisht mund të informohesh edhe se kush kanë qenë kolaboracionistët në Europë dhe cili ka qenë fati i tyre pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Sot, “GAZETA SHQIPTARE” sjell mendimin e dy historianëve me emër, Arben Puto dhe Pëllumb Xhufi. Edhe pse e pranojnë pozicionimin (e gabuar) e Lef Nosit gjatë pushtimit, njëri hapur e tjetri tangent, historianët e njohur, nuk bien dakord me heqjen e shtatores së tij nga Elbasani. Ata argumentojnë edhe pse nuk bien dakord me heqjen e shtatores, ashtu sikundër japin edhe detaje, vlerësime e ndoshta vërejtje për figurën historike e rolin e tij në kohë të ndryshme. Historiani Arben Puto është pyetur, se çfarë figure ka qenë sipas tij Lef Nosi, a ka qenë kolaboracionist(bashkëpunëtor me pushtuesin në kohë lufte) dhe cilat janë meritat e tij në historinë e Shqipërisë. Mandej, pyetja tjetër ka qenë lidhur me deklaratën e Ben Blushit, pra: është hedhur ideja nga Ben Blushi që të hiqet shtatorja e tij në Elbasan, pikërisht për shkak të bashkëpunimit që ai ka pasur me pushtuesin. Dhe përgjigjet e Putos kanë qenë si më poshtë. Njësoj, edhe prof. Pëllumb Xhufit i është kërkuar një mendim mbi Lef Nosin dhe nëse duhet hequr shtatorja e tij nga qyteti i Elbasanit. Botojmë më poshtë mendimet e tyre.

ARBEN PUTO
Para së gjithash duhet thënë, që Lef Nosi ka qenë një personalitet që i ka shërbyer Pavarësisë. Tërë dokumentet e Pavarësisë, Lef Nosi i ka ruajtur dhe pastaj, doemos, i ka dorëzuar. Por, nga ana tjetër, se është edhe ana tjetër e medaljes, ai u fut në qeveri nën okupacionin gjerman. U bë anëtar i regjencës së Mehdi Frashërit, ky ka qenë në regjencë bashkë me Anton Arapin e të tjerë. Sigurisht, u akuzua, dhe me të drejtë u akuzua për pjesëmarrje në kolaboracionizëm. Dhe kolaboracionizmi, dihet, do t’i shkaktonte dëme shumë të mëdha Shqipërisë, nëse nuk do të ishte lufta partizane. Pikërisht për këtë ai ka një njollë të zezë shumë të fortë. Lidhur me pyetjen tuaj për shtatoren, unë personalisht nuk jam për këtë. Përmendoret ngrihen në një kohë të caktuar. Një kohë kur opinioni i përgjithshëm nuk e hedh poshtë, dhe tani: do ta hedhim poshtë monumentin e Zogut? Nuk është për t’u hedhur poshtë. Insistoj që përmendoret e kohës duhet të jenë atje, ashtu sikurse duhet të jenë aty-këtu edhe bunkerët. Pse? Se janë dëshmi të kohës. Në vendet e tjera të përparuara ka lloj-lloj përmendoresh që e kapërcejnë kohën.

PËLLUMB XHUFI
Elbasanasit nxituan ta ngrenë një shtatore të Lef Nosit. Por tani nuk bën që ajo të hiqet. Në fund të fundit, “nxitimi” për Nosin është më fisnik se “nxitimi” për Gensherin, ishministrin e Jashtëm gjerman tashmë të harruar edhe nga vetë gjermanët. Ju kujtohet? Në 1992, në dallgën e një ekstazë demokratikase, bashkiakët e Elbasanit i vunë emrin e Gensherit një sheshi kryesor të qytetit, në mos më kryesorit. Ndërkaq mendoj se me më shumë arsye, qytetarët e Elbasanit duhet të “nxitojnë” të vendosin në vende më të dukshme se ajo e Lef Nosit dhe e Gensherit përmendoret dhe emrat e K. Kristoforidhit, A. Xhuvanit, Aqif Pashës, A. Budës, H. Cekës, M. Domit e sigurisht Dh. Shuteriqit e të ndonjë tjetri. Duke lënë mënjanë angazhimin politik, Lef Nosi ishte gardian i heshtur i antikiteteve (vlerave) shqiptare, këta të tjerët ishin lëvruesit, studiuesit e propaganduesit e mëdhenj të gjuhës, historisë e kulturës kombëtare dhe shpeshherë edhe aktorë e protagonistë pozitivë të historisë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb