Është ndarë nga jeta dje në moshën 92-vjeçare historiani i njohur dhe akademiku Arben Puto. Ai u shua pas një përkeqësimi të gjendjes shëndetësore në tri javët e fundit. Akademik, historian dhe studiues e ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare, Puto ka qenë bashkëpunëtor disavjeçar i “Gazeta Shqiptare”, me artikuj, analiza, e intervista për çështje të ndryshme të historisë.

Vetëm një vit më parë, ai botoi librin “Jetë me kujtime”, në të cilin ai rrëfente fëmijërinë, rininë dhe mandej karrierën. Në të kanë zënë vend edhe miqtë e tij në kohë të ndryshme, studimet në Gjirokastër, Korçë e më pas në Itali dhe Bashkimin Sovjetik. “Kam lindur në Gjirokastër, më 6 prill 1924. Jam rritur në një familje tipike gjirokastrite të kohës. Im atë Qazua, më vuri emrin Arben, një emër krejt i ri ndryshe nga ç’ishte zakoni atë kohë. Ai emër pati efekt dhe u përhap shumë nder vite, madje edhe në ditët tona. Unë jam Arbeni i parë. Kam ende të gjalla në kujtesën time shtëpinë në Manalatin e parë, shtëpi më e dy kate, me shumë kthina e kënde, me ‘manxaton’ e gjyshit, me qilarin dhe katoqin e gjyshes, Nënos së palodhur që nuk rrinte në vend, me avllinë e mbuluar me pjergulla, me ahurin për larjen e rrobave dhe prapa murit rrethues”, kujtonte Puto.

Dje, Ministria e Kulturës i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes për humbjen e njeriut të dashur, i cili jetën e tij ua kushtoi studimeve e historisë.

KUJTIMET
Në klasën e dytë (septieme), mësues na erdhi Enver Hoxha. Ishte viti 1937. Vinte nga Franca. E fliste mirë frëngjishten. Bënte përshtypje paraqitja e tij: shtatlartë, i pashëm, elegant. Ishte më i riu, 28-29 vjeç. Prej tij dëgjonim për herë të parë ngjarje dhe emra nga kultura franceze, nga letërsia dhe historia. Tema e tij e preferuar ishte Revolucioni Francez me parimet e mëdha Liberté, Egalite, Fraternité. Kur fliste për gijotinën, shtonte fjalët e Robespierre-it se revolucionet nuk bëhen pa koka të prera. Unë, personalisht ndihesha se më hante hakun në mësim, nuk më vinte nota të mira si ato që isha mësuar të merrja. Në fund të vitit më dha çmimin e dytë (prix d’aapplication). Shumë kohë më vonë kam dhënë një shpjegim. Ato vite Enveri ishte në grupin komunist të Korçës. Në klasë nuk na foli kurrë as për ideologji, as për politikë. Por, ruante qëndrim. Enveri i njihte familjet gjirokastrite, më dinte që isha i familjes pasanike të Putove. Ishte lufta e klasave. Inkurajonte nxënës me origjinë familjare modeste. Me ne sillej mirë, nuk ishte i butë, por as i ashpër, nuk dënonte, nuk godiste. Mund të duket e pabesueshme, por është fakt se nuk kishte dorë. Shumë vite më vonë, në biseda në rrethe të ngushta, ne, bashkënxënësit, habiteshim për ato që ndodhnin dhe thoshim me zë të ulët: ‘More, si është e mundur, në klasë nuk na dha kurrë një pëllëmbë?!’.

Dy klasat e para ishin përgatitore, i kushtoheshin kryesisht frëngjishtes. Lëndët kryesore zhvilloheshin prej klasës se tretë, gati të gjitha në frëngjisht. Çdo lëndë kishte mësuesin e vet. Kishte edhe profesorë francezë për disa lëndë, në radhë të parë për frëngjishten, historinë e Francës, por edhe në matematikë e fizikë. Tani edhe mësuesit tanë e zhvillonin lëndën në frëngjisht. Më kujtohet Abaz Ermeni, që jepte ‘Historinë e Shqipërisë’, edhe ai në frëngjisht. Enveri kishte rast të tregonte frëngjishten e tij me Moralin. I vetmi ndër mësuesit që fliste shqip ishte Stavro Skëndi, i cili jepte gjuhën shqipe.
Takimi me Hoxhën
Në vjeshtën e 1939-ës unë bëra nja dy-tre muaj në Gjimnazin e Gjirokastrës. Por im atë, Qazua, donte që unë të vazhdoja studimet në shkollë franceze. Dihej se kishte një shkollë të tillë në Romë. Ishte liceu me emrin e shkrimtarit të madh Chateaubriand. Erdha në Tiranë për të bërë formalitetet. Në kujtesë më ka mbetur një takim i veçantë. Një ditë, duke ecur në Rrugën e Dibrës, në trotuar pashë mësuesin tim, Enver Hoxhën. Më ndali. E kishte marrë vesh dhe më tha: ‘Po ikni, ikni ju, ikni. Me një fjalë, iku Zogu, ikni dhe ju’. Në fakt ishim nja shtatë a tetë. Tani ai ishte i angazhuar në Lëvizjen e Rezistencës. Unë nuk kuptova gjë.

Mes komunistëve e ballistëve – ballë për ballë
Në shtator 1942 erdhi në Gjirokastër Bahri Omari me disa shokë. Erdhën për të organizuar degën e Ballit Kombëtar, organizata e parë nacionaliste antikomuniste. Mbledhja u bë në shtëpinë tonë. Bahriu ishte mik i ngushtë i Qazos. Shtëpia u nda në dy kampe. Edhe familja u nda në dysh. Na thirri Bedriun, Nefon dhe mua dhe na tha të përgjonim çfarë do të thuhej në mbledhje. U bindëm si fëmijë. Mbaj mend vetëm Bahriun që foli për rrezikun komunist, por nga ana tjetër kërkonte pajtim dhe front të përbashkët kundër okupacionit italian.

Qazua solli propozimin dhe u vendos të bëhej një mbledhje e përbashkët në Manalatin e dytë. U vunë njëri përballë tjetrit, Bahriu me të tijtë dhe Bedriu me radhë të mbushura. Më është fiksuar në kujtesë ai çast dramatik: Qazua në krah të Bahriut, unë e Nefua në krah të Bedriut. Kjo ishte ndarja e parë me babanë tonë. Por Qazua nuk e bëri veten, nuk u zemërua, nuk na qortoi. Punë axhaminjsh. Në mbledhje nuk pati debat, pati përplasje. Bedriu e përdori rastin për të treguar oratorinë. Bëri pretencë, si ajo që do t’i bëhej Bahriut në gjyq më 1945. Foli gjatë për zgjerimin e Lëvizjes, për aksionet e njësiteve guerile në qytet dhe për aksionet e çetave në rreth. Thirrjes për bashkim që Bahriu bëri sikur luste, Bedriu iu përgjigj me argumentin e njohur: “Ju nuk luftoni. Luftoni që të bashkohemi”. Në të vërtetë, nuk donin rivalë dhe ata treguan se nuk do të bëheshin kurrë. Pas mbledhjes në Manalatin e dytë, palët ranë në konflikt të hapur.

Reflektimi
Më është dashur më se një herë të gjykoj veten për sjelljen tonë. Në këtë pikë është normale të bëhet pyetja: Si shpjegohet që ne, fëmijë të një familjeje të pasur, të rritur me kujdes dhe me të gjitha të mirat e kohës, morëm anën e një rryme që ngjallte mosbesim të thellë te prindërit tanë, që e shikonin atë si një rrezik të madh për pasurinë? Pyetjen e shtroj aq më tepër kur kujtoj se im atë, Qazua, më dërgoi mua në Korçë dhe në Romë, Nefon e mori me vete në Bari për të kuruar një sëmundje të lehtë të lëkurës, kurse motrën e vogël Adon e çoi në Korfuz dhe pastaj në Athinë për operacionin e bajameve.
Pyetja shtrohej jo vetëm për ne, por për të gjithë ata djem e vajza familjesh të pasura në gjithë Shqipërinë që u bënë militantë të përkushtuar, dhanë edhe jetën, pa përfillur të mirat dhe pasurinë.
Më vonë fashizmi, nazizmi dhe komunizmi do të vihen në një plan, gati si sinonime.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fillimet e shfaqjes, idetë komuniste kanë pasur një fuqi atraktive të fortë. Pra, biseda rreth komunizmit ishte e hapur në mjediset tona. Unë vetë nuk e kisha idenë. Në vitet e kalimit nga adoleshenca në pjekuri isha larg familjes. As emrin nuk ia kisha dëgjuar. Në shtëpi, Qazua heshtte. Por xhaxhai i dytë, Hazbiu, ishte shumë i shqetësuar. E quante serioz rrezikun. Nuk mund ta konceptonte këtë që po ndodhte jo më larg se pragu i shtëpisë, aq më tepër si shtetas amerikan. Kuptohet, fjala i shkonte në vesh edhe gjyshit, xha Refatit.

Një nga ato ditë më thirri dhe kërkoi shpjegime nga unë. Më tha: “More Bene (emri im i fëmijërisë), ç’thonë kështu, duan të na marrin pasurinë”? E qetësova, i thashë se qëllimi është që të hanë bukë edhe fukarenjtë, fëmijët e tyre të vishen dhe të venë në shkollë. Kjo nuk mund të bëhej në kohën e Zogut, as tani në kohën e Italisë. Prapë: “Ç’thua mo, Asqua, Muhedini (shërbëtorë) të më marrën shtëpinë dhe katandinë?!”. Shpjegimet i kërkonte edhe Nefos kur i jepte ndonjë flori. Nefua i thoshte po atë, se edhe fukarenjtë duhet të jetojnë, edhe ata të lagjes sonë, që edhe ti i ke ndihmuar. Por këtë herë gjyshi i tha: “Pa shiko moj vajzë se mos bëhen ata si ne e ne bëhemi si ata…”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: