Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, dhe analisti Arjan Vasjari komentuan në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, konfliktin Izrael-Palestinë dhe qëndrimin që duhet të mbajë qeveria shqiptare.

Ish-ministri Milo tha se Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk duhet ta harrojë këtë gjë, ndaj dhe duhet të matet shtatë herë dhe të presë një herë. Sipas tij, zotësia jonë si politikë e jashtme do të jetë, sa ne do të përshtatemi në hapësirën mes politikës amerikane dhe evropiane për të mbajtur një qëndrim që neve na intereson.

Ndërsa analisti Vasjari u shpreh se ky është momenti që Shqipëria të qartësojë përparësitë e saj, ku siç dihet prioritet është Bashkimi Evropian. Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë një qëndrim që të konvergojë qartë me pozicionin e BE.

Pjesë nga diskutimet:
Vasjari: Kur vjen në pushtet duhet t’i lësh ato sloganet dhe t’i përshtatesh politikave. Psh. Albin Kurti bëri një transformim politik, ku sapo fitoi zgjedhjet, ndryshoi qëndrimin e tij radikal. Erdhi në hulli. Pra, ti je i detyruar për një politikë gjeologjike, diplomatike, etj.

Milo: Mund të jesh aktor, mund të vendosësh. Zotësia e vendeve të vogla është përshtatja në përputhje me interesin kombëtar. Ne asnjëherë nuk kemi pasur, as do të kemi, rol lideri, që mund të ndikojmë. Kur vjen puna për të hedhur hapin konkret, për të mbajtur qëndrim, ne gjithmonë duhet të matemi shtatë herë dhe të presim një herë, sepse për fat të keq kjo është pozita ndërkombëtare e të vegjëlve. Ne nuk duhet të harrojmë se jemi të vegjël, nuk bëhemi dot të mëdhenj. Mund të kemi të drejtë, por jemi të vegjël dhe logjika e të voglit nuk është baras me atë të të madhit. Nuk duhet të pretendojmë që të bëjmë atë politikë të madhe, por duhet të kemi si pika orientuese qëndrimin e SHBA dhe BE. Zotësia jonë si politikë e jashtme do të jetë, sa ne do të përshtatemi në hapësirën mes politikës amerikane dhe evropiane për të mbajtur një qëndrim që neve na intereson. Besoj që qeveria e re, që do të krijohet, duhet të ndërtojë kapacitete të tilla diplomatike, inteligjente, që të na vigojnë në këtë territor të minuar.

Vasjari: Diplomacia nuk është shkencë parimesh, por interesash, kështu që ne duhet të shikojmë interesat. Ky është momenti që ne të qartësojmë përparësitë tona. Nëse përparësitë tona në këtë moment janë të qarta, prioriteti ynë është Bashkimi Evropian. Unë them që, në këtë rast, pozicioni i Shqipërisë duhet të ishte një pozicion që të konvergonte qartë me pozicionin e BE. Amerikanët ngelen aleatët tanë të mëdhenj, por të mos harrojmë se në këtë zgjedhje, një alternativë tjetër do të ishte shumë e dëmshme për integrimin. Edhe pse u ndryshua administrata e SHBA, ekziston një distancë në qëndrimin e SHBA dhe BE.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb