TIRANË

Gjatë fjalës së tij të fitores nga sheshi “Skënderbej”, kryeministri Edi Rama dha një mesazh të veçantë për bashkëshorten e tij, Linda Ramën, dhe tre fëmijët, Gregun, Rean dhe Zahon.

Duke e cilësuar Lindën, si gjysmën e tij më të mirë, Rama tha se ajo është guri që i mbledh në familje.

Ndërsa për dy fëmijët e rritur, Greun dhe Rean, kryeministri i falënderoi, duke thënë se ata nuk i shkaktojnë dhimbje koke me mënyrën e tyre të jetesës. Sa i takon Zahos, Rama tha se është i mërzitur, pse nuk ka marrë vota në Vlorë, ndonëse ka bërë fushatë.

“Siç ishit ju për mua më 25 prill, do jem unë për ju aty ku do duhen, ditë e natë, në katër vitet që vijnë. Një falënderim të veçantë për gjysmën time më të mirë, për opozitën time më të fortë, Linda Ramën, mamanë e palodhur të Zahon, nënën e duhur të Reas dhe shoqen e palodhur të Gregut. Linda është guri që na mbledh. Grua faleminderit.

Faleminderit dhe Reas e Gregut, që nuk na shkaktoni dhimbje koke me mënyrën tuaj të jetesës. Jam shumë krenar për ju dhe uroj t’iu bëj krenar gjithnjë, me punën time sot dhe me ndihmën e Zotit e me gjurmën e punës sime nesër. Tani le të mbetet këtu mes nesh, Zaho nuk erdhi se është pak i mërzitur. Nuk arrin të pajtohet dot me faktin se unë i mora të gjitha votat, ndërsa ai nuk mori dot asnjë votë, megjithëse bëri fushatë në Vlorë. Tani është detyra jonë t’ia mësojmë me durim këtë”, u shpreh Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb