Para ligjit jemi të gjithë të barabartë, ashtu siç shërbimet publike janë universale! Ndaj vaksinimi me lista e kritere sekrete është anti-demokratike, anti-ligjore, anti-njerëzore. Kjo është thjeshtë një fushatë blerje votash, ose më saktë blerje influencash publike që “personalitetet” të ja kthejnë nderin e vaksinimit KM-së duke folur mirë për të gjatë fushatës që kemi përpara. Kjo është esenca e një diktature personale, antipod i shtetit të të drejtës. Sot KM-ja vendos personalisht kush vaksinohet, pra vendos fjalë për fjalë, kush gëzon të drejtën “të jetojë”. Fuqi ‘divine’ që i njiheshin vetëm perandorëve apo mbretërve që vetë-cilësoheshin shëmbëlltyra të Zotit në tokë.

Skenat e transmetuara nga televizonet janë makabre. Bodyguarde që ruajnë hyrjen e stadiumit duke kthyer mbrapsht pensionistë e familjarë të traumatizuar. Qytetarë që gabimisht mendojnë se vaksinimi është një proces popullor, demokratik, njerëzor e me qëllime shëndetësore për të mbrojtur njerëzit më vulnerabël. Skena që dëshmojnë sesa i dhunshëm është arbitrariteti i kësaj vendimarrjeje të RamaZot-it. Një proces i tillë vaksinimi, në diktatura mbrohet nga dhuna e policët, ndërkohë në demokraci mbrohet nga profesionistët e nga mjekët të cilët janë të vetmit që shoqëria dhe ligjet u njohin të drejtën për të luftuar mbi sfidat shëndetësore “për jetë a vdekje”.

Askush, përpos mjekëve nuk mund të vendosin mbi këtë dilemë thellësisht morale. As drejtësia, as politika. E thonë ligjet e vendit tonë. Jo më kot, Shqipëria e ka abroguar dënimin me vdekje tash 30 vite. Mjerisht, RamaZot-i sot e riktheu në fuqi atë duke i dënuar me vdekje pleqtë e urtë e popullorë, njerëzit e thjeshtë, të panjohur, taksapaguesit e moshur, të gjithë qytetarët e përjashtuar nga ky proçes jo-transparent! Ja ku është genocidi, tek qasja selektive e tij!
Një krim i dyfishtë në fakt. Jo vetëm për arbitraritetin e përzgjedhjes se mbi të cilat kritere vendoset kush është “personalitet” e kush jo, por dhe për faktin se vaksinat po paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë. Çka nënkupton që RamaZot-i ka detyrë të respektojë parimet e barazisë së qytetarëve në aksesin në shërbimin publik. Ka për detyrë të respektojë parimet e transparencës dhe të vendimarrjeve legjitime sipas ligjeve në fuqi. Ka për detyrë të respektojë normat deontologjike dhe procedurat administrativo-mjeksore që zbatohen në Republikën e Shqipërisë në trajtimin e pacientëve. Ai po del mbi ligjet, nuk është aspak filozofi apo politikë. KLSH/SPAK të ndërhyjnë !!!

Si do të ishte mënyra e drejtë? Na mëson bota perëndimore e demokratike me dhjetëra praktika të tilla. Nëse Rama ka dështuar dhe nuk arrin dot të sigurojë vetëm disa qindra vaksina ndërkohë që vendet fqinj kanë tashmë me mijëra, atëherë fare mirë mund të zbatonte kritere të diskutuara publikisht. Bazuar mbi kriterin e moshës, mund të kishte një short krejt rastësor. Praktikë e njohur kjo. Nëse mosha nuk do të ishte kriter, shërbimi mjeksor kombëtar mund të identifikonte krejt lehtësisht pacientët me sëmundje më kronike, kartela mjeksore të avancuara duke e administruar procesin në mënyrë profesionale e transparente.

Edi Rama ka kaluar cakun e rradhës duke organizuar një proçes kriminal në rrafshin njerëzor, një proçes diktatorial në rrafshin politik, e një proçes anti-ligjor në rrafshin administrativ. Është një turp për kombin shqiptar që teksa kujtojmë rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, i lejojmë vetes të ngrejmë buste të reja liderash-zot të cilët i japin vetes të drejtën të vendosë kush jeton e kush jo. Kjo është esenca maksimale e asaj që përfaqëson një diktaturë personale. Një pushtet politik vendos që vendos mbi gjithçka, jo vetëm kush mund të punësohet në administratë, kush gjyqtar mund të vetohet, kush sipërmarrës mund të fitojë tendera publikë, cila media mund të kritikojë qeverinë… por së fundmi dhe se cilët qytetarë vaksinohen…

Kjo është mbase dhe arsyeja më ultime, më e pakontestueshme, më fundore përse me 25 prill duhet ta largojmë këtë individ përgjithnjë nga skena publike kombëtare! RamaZot-i ka dalur nga cdo binar demokratik. Ai është tashmë publikisht Armiku Nr. 1 i kombit shqiptar. Me 25 prill humbet Rama, me 25 prill fiton Shqipëria. Nuk ka rrugë tjetër…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb