Sipas ESPN, skuadra e Real Madrid po mendon të organizojë në stadiumin e saj “Santiago Bernabeu” një ndeshje lamtumire për tenistin zviceran Roger Federer, për ta nderuar ikonën e sportit botëror.

Ky i fundit vendosi të japë lamtumirën nga sporti dy ditë më parë. Ideja është që Federer të përballet me rivalin e mikun e tij Rafael Nadal, tifoz i ekipit “Los Blancos”.

Kjo pritet të jetë hera e fundit që dy tenistët zhvillojnë kundër njëri-tjetrit, dy rivalë që kanë bërë historinë e këtij sporti në 20 vitet e fundit. Kjo sfidë do të zhvillohet pas disa muajsh, pasi të përfundojnë disa restaurime në stadiumin legjendar të Real Madrid.

Ideja është që përballja mes dy legjendave të tenisit të zhvillohet në prani të 80 mijë shikuesve, për ta bërë këtë ndeshjen më të ndjekur në historinë e këtij sporti. Kjo do të ishte një mbyllje me stil e karrierës së Roger Federer, tenistit që ka vendosur dhjetra rekorde dhe që konsiderohet si më i madhi në histori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb