Kujdes nga injoranca kur lëvrin; hapni sytë nga papërvoja kur vepron dhe ruajuni shumicës kur është mendërisht e helmuar nga dezinformimi, sepse injoranca kolektive nuk bëhet mençuri.
William J. H. Boetcker

Një nga arritjet e teknologjisë së sotme është aftësia e komunitetit injorant për t’u socializuar. Kështu, të bashkuar injorantët bëhen më të fuqishëm. Nuk mund ta fsheh tronditjen që kam provuar nga reagimi agresiv i një kopeje injorantësh, disa me like e të tjerë me komente nga më vulgaret deri në rrugaçërore. Veçori e kësaj sjelljeje është urrejtja e verbër dhe mungesa e skajshme e logjikës.

Dikush, që s’ka asnjë lidhje me shkencën, vetëshpallet Mesia i etimologjisë. Duke mos ditur ABC-në e kërkimit shkencor, duke e konsideruar etimologjinë një lojë me gogla fjalësh e rrokjesh, pa dijen më të vogël për gjuhësinë, duke e barazuar këtë me etimologjinë vulgare, duke shpikur terma gaztorësh («rotacion» për «rotacizmin»), duke futur mllef politik dhe përbaltur shkencën dhe shkencëtarët që i dhanë dritë Shqipërisë, duke pëgërë mbi traditën më të mirë të gjuhësisë shqiptare, bëhet protagonist i një «kryengritjeje» obskurantistësh mbi dritën e diturisë dhe shkencës. Paska dalë dikush e bërtet në mes të fshatit dhe paska rrëmbyer flamurin e shpëtimtarit të kombit; për të shpëtuar një komb që na u kërcënuaka nga Eqrem Çabej, Kolec Topalli e figura të tjera të ndritura të shkencës (!).

Ngrihen kundër këtyre figurave të ndritura dikushi dhe disa, arsyeja dhe logjika e të cilëve u kanë lënë shëndenë dhe trupin e mendjen ua ka pushtuar verbëria e mllefi. Pra, kombi rrezikohet nga dija, shkenca, arsimi. Pra, kombin do ta shpëtojnë padija, injoranca, fëlliqësia, urrejta, të cilat përfaqësojnë këta njerëz të dalë nga llagëmet dhe strofullat e errësirës kulturore.

Këta injorantë me një nivel të ulët kulturor kanë frikë nga shkenca, tek e cila shohin burimin e të këqijave që kalon vendi. Këta mendjetredhur nuk kanë asnjë fije ndërgjegjeje sociale për të menduar se cilat janë shkaqet që gjendja e vendit ka arritur në nivele të vajtueshme. Këta spurdhjakë, një pjesë e të cilëve ndoshta edhe me diplomë të shkollës së lartë, të mbërthyer nga komplekset e inferioritetit, nuk i kanë sytë nga e ardhmja, nga përparimi, por i kanë kthyer sytë prapa në kohë të errëta, ku asnjë gjuhë nuk flitej në botë përveç shqipes (!).

Këta impotentë mendorë demonstrojnë gjenitalet e mendjes së tyre duke guxuar të bëjnë kompetentin shkencor dhe të marrin në provim shkencëtarë e akademikë duke i pyetur për koncepte shkencore që as ua kanë idenë.
Kjo kope injorantësh dhe obskurantistësh, shpërdorues të lirisë së ndërgjegjes për fat të keq mbështetet edhe nga media televizive duke u dhënë kohë televizive për të shpalosur idiotizmat e tyre. Broçkullat e tyre qesharake do të ishin të denja për emisione të tëra humoristike, por puna është bërë kaq serioze, sa nuk ka më arsye për të qeshur.

Përgjegjësi të madhe kanë edhe institucionet shkencore dhe akademike, të cilat në mënyrë penalizuese mbyllin njërin sy përpara kësaj katastrofe, ndërsa këta rrugaçë të mendimit u shkelin institucioneve njërin sy përmes studiove televizive. E keqja ka marrë formën e një revanshi të injorancës kolektive në përmasa kaq të mëdha, saqë po kthehet në kërcënim për të tashmen dhe të ardhmen e ndërgjegjes së kësaj shoqërie.
Le të zgjohemi sa nuk është vonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: