Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX, ka rimarrë titullin “personi më i pasur në botë”, duke ia kaluar manjatit francez të mallrave luksoze Bernard Arnault, president i grupit LVMH.

Sipas listës së revistës Forbes të njerëzve më të pasur në botë, pasuria neto e Musk u rrit me 1.75% deri në mesditë me kohën lokale në 240.7 miliardë dollarë.

Rritja e vlerësimit të aksioneve të Tesla-s me më shumë se 2.5% ndikoi që Musk të rifitonte titullin.

Pasuria e Arnault, kryetar i gjigantit të mallrave luksoze LVMH, i cili zotëron Louis Vuitton, Christian Dior dhe Tiffany, ra me më shumë se 1%, në 234.9 miliardë dollarë. Musk ia kaloi Arnault-it dhe zuri vendin e parë në listën e njerëzve më të pasur në botë.

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe njeriu më i pasur në botë për njëfarë kohe, zuri vendin e tretë me një pasuri prej 151.9 miliardë dollarësh.

Bezos u pasua nga themeluesi dhe ish-CEO i Oracle, Larry Ellison me 148.1 miliardë dollarë, themeluesi i Microsoft, Bill Gates me 120.6 miliardë dollarë dhe CEO i Berkshire Hathaway, Warren Buffet me 117.3 miliardë dollarë.

Musk, i cili bleu Twitter për 44 miliardë dollarë vitin e kaluar, ndryshoi logon e kompanisë nga “zogu blu” në shkronjën “X” të dielën dhe drejtoi emrin e domenit X.com në faqe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb