Zbulohen qindra fotografi të Edith Durham, të bëra në trojet shqiptare. Udhëtarja angleze që do ta bënte të njohur Shqipërinë në Londër përmes shënimeve të saj, do të na linte si trashëgimi edhe një pasuri tjetër po aq të çmuar: disa qindra fotografi. Por fondi i këtyre fotografive ishte lënë në harresë, derisa një studiues si Robert Elsie, do të mund t’i nxirrte në dritë. Edhe pse bardhezi, në të vërtetë ato japin aq shumë kolorit. Tanimë opinioni shqiptar ka fatin të njihet me fotografitë e rralla të bëra nga Miss Edith Durham, gjatë udhëtimit të saj nëpër Shqipëri por dhe në viset shqiptare të Malit të Zi.

Nga 450 fotografitë e panjohura të shkrepura nga Miss Edith Durham, kryesisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, rreth 100 prej këtyre imazheve iu prezantuan opinionit shqiptar për herë të parë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Dje më 18 maj 2016 u mbajt një takim dhe një prezantim i shkrimtarit, albanologut dhe përkthyesit Dr. Robert Elsie mbi koleksionin fotografik të Miss Edith Durham.

Ndërkaq, në sallën UNESCO të Muzeut Kombëtar, studiuesi Robert Elsie, mes miqsh dhe të ftuarish të interesuar, prezantoi një pjesë të fondit të 450 fotografive të panjohura që Miss Edith Durham, që ka bërë gjatë udhëtimeve të saj kryesisht në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Në fjalën e tij me këtë rast, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Melsi Labi tha se: “Edit Durham vizitoi Serbinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi, por ajo e përqendroi më shumë vëmendjen e saj mbi Shqipërinë. Jeta e shqiptarëve do të përbënte dhe mbresën e saj më të madhe. Në të gjitha trevat ku shkeli ajo mblodhi dhe një material etnografik të pasur. Gjithashtu fiksoi mbi celuloid qindra imazhe, duke krijuar kështu një arkiv të vërtetë pamjesh të jashtëzakonshme. Pa dyshim, një udhëtare që nisej për ekspeditë në një vend si Ballkani, nuk mund të mos kishte me vete dhe armën më të sofistikuar të kohës: një aparat fotografik.

Lapsi ishin një element me të cilin do të shkruhej historia. Por ndodh që imazhi është po aq i rëndësishëm, e ndoshta më shumë se kaq, për ta mbështetur atë që hidhet në letër. Edit Durham mbajti shënime dhe e shkrepi aparatin e saj kudo që shkoi. Shënimet e saj u botuan në libra, por fotografi të kohës kishte fare pak në qarkullim. Ato ishin lënë në harresë. Tanimë janë të “gjalla” 450 fotografitë e panjohura, të cilat na sjellin imazhet e papërsëritshme të Shqipërisë së fillimshekullit XX. Ky koleksion fotosh, i nxjerrë nga errësira një shekull më pas, do të mund ta pasurojë më tepër historinë e Shqipërisë, dhe do ta bëjë më të prekshme atë”, tha Melsi Labi në fjalën e tij.

Ndërsa studiuesi Robert Elsie për koleksionin fotografik të Edith Durham ka thënë se “në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në gusht të atij viti, Edith Durham bleu një aparat të vogël fotografik të markës ‘Kodak Brownie'”. Sipas Elsie, në Londër, pas udhëtimeve, Durham ua prezantoi fotografitë e saj anëtarëve të Institutit Mbretëror Antropologjik ku ishte edhe vetë anëtare, dhe veçanërisht para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare të cilën e kishte themeluar. “Pas vdekjes së saj, pjesa më e madhe e koleksionit ruhej në Institut, si të thuash në harresë, por ka edhe fotografi të tjera në Muzeun Britanik në Londër, dhe në Muzeun Pitt Rivers në Oksford. Rreth një shekull më vonë, më datë 24 shkurt 2016, kisha nder të madh të prezantoja fotografitë e saj përsëri në sallën e Institutit Mbretëror Antropologjik në Londër, dhe përsëri para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare. Ishte një ngjarje historike”, ka sqaruar Elsie.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: