Komiteti për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, vendosi të martën që Spitalin e Vushtrrisë ta shndërrojë tërësisht në spital për pacientët e sëmurë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Lajmin e bëri të ditur Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Spitali i Vushtrrisë shumë shpejt do të pranojë pacientët nga qyteti i Mitrovicës dhe qyteti i Vushtrrisë dhe rrethinat që kanë… Pacientët që kanë nevojë për shërbime të tjera, të natyrës jo COVID-19, do t’i marrim në Spitalin e Mitrovicës. Ndërkohë, edhe personeli shëndetësor do të ristrukturohet në harmoni me këtë qëndrim”, tha Krasniqi në një konferencë për media.

Ai po ashtu tha se është marrë vendim që, në kuadër të planifikimeve për shtim të numrit të shtretërve, një kat i Klinikës së Neurologjisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, me 60 shtretër, të vihet në dispozicion për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Aktualisht, sipas Krasniqit, në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet rajonale janë duke u trajtuar rreth 450 pacientë me koronavirus.

Duke folur në të njëjtën konferencë për media, ministri i Shëndetësisë i Qeverisë së Kosovës, Armend Zemaj, tha se nga sot, Klinikës Infektive të QKUK-së i janë shtuar edhe 50 punëtorë të rinj shëndetësorë, me të cilët është planifikuar përforcimi i stafit mjekësor që trajton personat e sëmurë me COVID-19.

“Bashkë me ne janë 50 profesionistë. Ndërkaq, 8 laborantë kanë filluar punën në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, 4 biologë. Dje, 20 inspektorë kanë filluar punën me ekipet monitoruese dhe zbatuese të ligjit. Sot, gjatë ditës do të shpërndahen edhe 50 mjekë dhe 62 infermierë, sipas kërkesave dhe nevojave që janë akoma në rritje. Nuk do të thotë që ne do të ndalemi me këtë angazhim”, theksoi Zemaj.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, tha se aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 96 pacientë me COVID-19, 60 për qind e të cilëve janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

“Në mjekimin intensiv janë 5 pacientë , të cilët janë në gjendje kritike”, tha Ajazaj-Berisha.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, që nga regjistrimi i rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri më 13 korrik, janë regjistruar në total 5,118 raste.

Prej tyre, 108 pacientë kanë vdekur, 2,370 janë shëruar, ndërsa raste aktive vazhdojnë të jenë edhe 2,640.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: