Është zbardhur dinamika e krimit të dyfishtë në Divjakë, të ndodhur mbrëmjen e të shtunës, ku Hekuran Rrasa vrau me armë gjahu bashkëshorten e tij, Fëllënxë Rrasa, dhe më pas edhe veten.

Në një raportim nga banesa e çiftit të vrarë, gazetarja Dorjana Bezat tha për “BalkanWeb” se policia dyshon që ky është një krim i paramenduar dhe jo nga një konflikt i çastit.

Siç thekson gazetarja Bezat, shkak për këtë është fakti se autori krimit, Hekuran Rrasa, para ngjarjes ka larguar nga banesa djalin e tij, duke i thënë që të shkonte të pinte një kafe dhe me pretendimin se donte që t’i blinte një paketë cigaresh.

Pasi ka larguar djalin, ai ka marrë bashkëshorten, e ka çuar te dhoma e gjumit, ku edhe e ka vrarë. Policia dyshon se ka pasur një konfrontim mes çiftit, pasi rrobat e gruas janë gjetur të shqyera, gjë që hedh dyshime se janë konfliktuar fizikisht.

Më pas, burri e ka qëlluar gruan me armë në fytyrë, në një pjesë të dhomës së gjumit, ndërsa pak minuta më vonë është dëgjuar një krismë tjetër, ku Hekuran Rrasa ka vrarë edhe veten. Të dy trupat e pajetë janë gjetur në dhomën e gjumit. Arma e gjahut është gjetur pranë trupit të Hekuran Rrasës dhe armën ai e kishte prej shumë shumë vitesh.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb