NGA DANIELA BONOLLARI

Prej dy ditësh nuk më hiqet nga mendja vrasja e adoleshentetit pogradecar. Një djalosh i rritur mes të mirave, djalë i vetëm, por i ushqyer me ndjenjën e gangsterit. Autori po ashtu. Paralel me këtë ngjarje, më e lexuara e klikuara në portale vjen historia e reperave që qëllohen në Prishtinë. Cozman me shokë plagosin Noizy. Reperat tashmë kanë fansat e tyre, numërohen me mijëra. Mes tyre edhe djemtë protagonistë të ngjarjes në Pogradec. Episodi i krimit i ngjashëm me tekstet e reperave! Vjersha me tekst rruge, mjaftojnë të kenë rimë, përmbajtje e dobët, figura letrare zëri, art zero. Një turp i shoqërisë, i asaj çfarë prindërit e mësuesit mundohen të bëjnë në shkollë e familje, shkon dhe çmeritet sakrifica në 5 minuta këngë. Ushqehen me dhunë, ushqehen me ndjenjën e ‘çuarjes të kundërshtarit në botën tjetër’.

Teksti i një këngë të Noizy
Ndryshon situata per pun secondash
Thehet shishja n’koke per pun secondash
Shef veten n’tok per pun sekondash
Ose tvarim ke shtylla si varse rrobash

Mos mprekni n’tela – Se jua prej telat,
Ta gjej piken e dobet aty Ku t’dhem ti prishi skelat,
Bandita – doreza – kapuca thika tmprehta,
Jepet urdhri dhe rrugen ta prejn do ftyra t’zbehta

Ktu nuk ka ndjenja – ktu trupi shpohet nhekra,
Rruget jan te ftohta jeta te shkon Si barsaleta,
Na ishte Se cna ishte – ti mbetesh vec 1 ishe,
Shkruhet emrin nleter – letra merret zarfi griset

Kënga ka mbi 25 strofa me frymën e masakrimit. Klikime? Në Youtube, mbi 6 milionë. Ku po shkojmë kështu? 15-18-vjecarë që adhurojnë të këndojnë, të vriten për një fjalë goje, për prekjen në sedër. Rini që as nuk e ka idenë se përse shkolla quhet ‘Qemal Stafa’ apo ‘Muharrem Çollaku’. As nuk e dinë që këta emra dje ishin djem të rinj që dhanë jetën e luftuan për një kauzë madhore, që Noizy dhe Stresi me shokë as nuk e njohin dhe në rast se do u jepej rasti, do zbytheshin jashtë kufirit me xhetët privatë.

Pyes veten, si do ndihej djaloshi që vrau Fabion, nëse viktima do të ishte ai dhe nëna e tij do vinte kujën me fjalë që të dhembin në zemër kur i dëgjon. Gjaku, mishi i saj u tret në dhe për 5 minuta sherr në Facebook, për tiparet gangstere që nuk hidhen poshtë dhe logjika që nuk vihet në punë. Po kështu dhe djaloshi që i thurte nënës lavde në rrjete sociale, nuk mendoi dy herë për të kur zihej me palën kundërshtare për një vajzë. Provokime, sharje, ofendime pa menduar një çast se jeta është një fill që pritet lehtë. Por më shumë se një fill, jeta e të rinjve sot është shndërruar në një strofë kënge reperash kokëbosh. Repera që qëllohen mes tyre për të bërë sa më shumë fansa, mes tyre dhe fansa të vdekur.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: