Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka folur në lidhje me akordin mes opozitës dhe mazhorancës për një sërë ndryshimesh në rregulloren e Kuvendit, duke theksuar se të gjitha propozimet e paraqitura nga PD janë pranuar nga PS.
I ftuar në programin e drekës në News24, Korreshi u shpreh se gjatë diskutimeve ka pasur debate mes palëve, por në fund është gjetur konsensus për çështje të rëndësishme që lidhen me funksionimin e Kuvendit dhe raportimin e institucioneve.
Sipas tij, një nga pikat ku PD ka kundërshtuar ka qenë kufizimi i kohës së fjalës për deputetët nga 10 minuta në 5 minuta, ndërsa tha se është pranuar që raportimet e organeve ligjzbatuese të bëhen në Komisionin e Ligjeve.
“Kemi kundërshtuar fjalën 5 minuta për deputetët, pasi duhet të mbetet 10 minuta siç ka qenë. Është pranuar gjithashtu raportimi i organeve ligjzbatuese në Parlament dhe në Komisionin e Ligjeve”, tha Korreshi.
Ai shtoi se është rishikuar edhe roli i Sekretariatit të Etikës për masat disiplinore ndaj deputetëve, duke theksuar se ky organ “nuk duhet të jetë gijotinë”.
Korreshi sqaroi gjithashtu se në rastet kur deputetët do të ankimojnë masat administrative në Byronë e Kuvendit, zbatimi i tyre do të pezullohet deri në shqyrtimin në shkallën tjetër.
Në lidhje me raportimin e kreut të SPAK, deputeti demokrat tha se është vendosur që ai të mos raportojë në seancë plenare, por vetëm në Komisionin e Ligjeve.
Sipas Korreshit, mazhoranca ka argumentuar se organet kushtetuese nuk raportojnë në Kuvend në vende të tjera të botës, ndërsa shtoi se raportimet në komision mund të zhvillohen edhe me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve.
“SPAK është parë si strukturë me ndjeshmëri të madhe dhe mund të raportojë në komision, që mund të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa Kuvendi nuk mund të jetë me dyer të mbyllura”, deklaroi ai.
Korreshi bëri me dije se është ndryshuar edhe praktika e raportimit të institucioneve, duke theksuar se tashmë në komision do të paraqitet vetë drejtuesi i institucionit dhe jo vetëm institucioni si strukturë.
