Kreu i agjencisë së inteligjencës së huaj të Gjermanisë (BND), Bruno Kahl, ka deklaruar se Evropa duhet të bëjë gjithçka të mundur për të parandaluar zgjerimin e terrorit të lidhur me DEASH-in në zonën e Sahelit në jug të shkretëtirës Sahara.

“Është e qartë se Perëndimi nuk mund të zhduket nga atje. Presidenti francez ka theksuar qartë se Franca do të vazhdojë të përfshihet në Sahel. Evropa duhet të jetë e vetëdijshme për faktin se ky është një rajon fqinjësor ku rreziqet e sigurisë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek ne, përmes eksporteve të terrorit, migrimit apo edhe krimit të organizuar”, tha Kahl për të përditshmen ‘Sueddeutsche Zeitung’ me bazë në Mynih.

Sipas tij, ekziston vetëm një mënyrë për të ndaluar përhapjen e grupeve terroriste. “Tregoni praninë tuaj”, theksoi ai.

Kahl shtoi se Evropa duhet të bëjë gjithçka të mundur për të mbështetur shtetet e zonës së Sahelit dhe të jetë e vetëdijshme se “ky është një rajon fqinjësor ku rreziqet e sigurisë kanë efekte të menjëhershme”.

Komentet e kreut të shërbimit sekret gjerman vijnë pas ngjalljes së planeve franceze për të tërhequr trupat e saj nga zona e Sahelit.

Në rajonin e Afrikës ka rreth 5.100 ushtarë francezë që luftojnë me grupe terroriste, disa prej të cilave kanë treguar besnikëri ndaj DEASH-it ose Al-Kaidës.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, javën e kaluar tha se vendi i tij do të mbyllë të gjitha bazat ushtarake në rajonin e Sahelit deri në vitin 2022 si pjesë e ri-konfigurimit të angazhimit ushtarak të vendit të Afrikës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, sot bëri thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit në Mali.

“Ne do të duhet të shtyjmë të gjitha këto misione së bashku dhe t’i koordinojmë ato edhe më mirë në vitet e ardhshme”, tha ajo.

Aktualisht ndodhen rreth 900 ushtarë gjermanë të vendosur në Mali si pjesë e misionit MINUSMA të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara (OKB) në Mali.//AA 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb