Shkarkimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit ishte vendimi më i rëndësishëm i mbledhjes së qeverisë që u zhvillua ditën e sotme.

Teksa komunikoi këtë vendim për mediat, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi njoftoi edhe se detyrat e Gledis Nanos për momentin do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë Tonin Vocaj.

Teksa Çuçi deklaroi se shumë shpejt do të lajmërohet emri i drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, gazetarja Klodiana Lala në një lidhje live për News24 bëri me dije se emri mund të zbulohet pas një vizite të ministrit të Brendshëm në Beograd.

Sa i përket ish-drejtorit të Policisë, Gledis Nano, pak minuta më parë është konfirmuar se ndodhet në zyrën e tij të punës, ndoshta duke bërë gati gjërat e tij për ta lënë zyrën. Brenda afatit 2 javor do të caktohet drejtori i ri. Janë dy kandidatë potencialë, Muhamet Rrumbullaku dhe Lorenc Panganika, por në listë ka edhe emra të tjerë që do të kalojnë në sitë. Emri pritet të bëhet i ditur kur ministri i Brendshëm të kthehet nga një vizitë në Beograd”, raportoi Lala.

Kujtojmë se Muhamet Rrumbullaku aktualisht mban postin e Drejtorit te Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, ish-SHÇBA-ja, ndërsa Panganika është Drejtori i Policisë së Tiranës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb